Kreu demokrat Sali Berisha, gjatë takimit me drejtuesit e degëve të kësaj partie, ka kërkuar shtimin e grupeve të punës në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Berisha tha se diktaturat rrëzohen me dy mënyra: me armë, lëvizje të armatosur, ose me mosbindje civile. Në këtë kuadër, Berisha tha se demokratët kanë zgjedhur në mënyrë përfundimtare mosbindjen civile.
“Sot, është rasti të ritheksoj se një nga gjërat, ose ndofta tiparet më themelore të kësaj partie, e cila kur u themelua ditët e para kishte përpara një parti terroriste. Vetëm një javë pas themelimit tonë, Ramiz Alia mblodhi konferencën kombëtare të PPSH dhe e shpalli me të madhe që njerëzit të mos kujtojë kush se u dobësua, se marksizmi-leninizmi, pra doktrina terroriste është doktrina udhëheqëse e PPSH.
Atë e kishte në statut, por tani e rikonfirmoi edhe njëherë. Kurse ne, PD, parti e vlerave demokratike, jo e dhunës. Dhe ne, jemi përmbajtur, siç e dini ju. Në ’97, e morën me dhunë, i përzumë me votë dhe tani prap me votë do t’i përzemë. Mosbindje civile dhe votë.
Dhe, këtë takim me ju, e thirra se, tani që kemi krijuar grupet e punës, të cilat keni autoritet dhe autorizim t’i shtoni, të sillni propozimet.
Sektori i Organizimit ka bërë një punë, mund të ketë harruar persona. Ja ku jeni ju. Ata jeni ju që i drejtoni, dhe i udhëhiqni. Nuk keni kufizime, nuk keni pengesa për të kërkuar bashkëpunimin e çdo demokrati.
Por, kur e konsideroni se duhet të jetë në shtab elektoral dhe ka ndikimin, sigurisht që ata do t’i merrni, ia sillni sektorit të Organizimit, dhe sektori i Organizimit plotëson listat.
Vetëm një gjë është. Me dhjetëra e dhjetëra herë, e kemi theksuar dhe qindra herë që ne jemi shpresa e fundit, dhe kjo është e vërteta.
Tani do t’u them një gjë unë ju. Do jem shumë i hapur. Në qoftë se do shihni se do dilte një forcë tjetër politike, që do t’i mirrte shqiptarët me vete, do t’u printe, Sali Berishën nuk do e dëgjonit ndonjëherë të thoshte: jemi shpresa e vetme.
Por, e vërteta është që, jemi shpresa e vetme. Ky është realiteti, dhe kjo na detyron shumë. Na detyron shumë që tek çdo anëtar, tek çdo simpatizant, tek çdo mbështetës t’i ngulitim këtë bindje.
Ne jemi shpresa e vetme, dhe si të tillë ne duhet ta mbjellim këtë shpresë në çdo votër, në çdo zemër, në çdo mendje të shqiptarëve.
U kërkoj strukturave të PD, për të cilat kam admirim të pakufishëm, të çlirohen nga çdo ngurtësi dhe të dalin në krye të udhëheqin qytetarët drejt fitores”, tha Berisha.