Ish-kryebashkiaku i Shkodrës dhe ish-deputeti i PD Bardh Spahia, në një prononcim për News 24 tha se mosbindja civile sot në Tiranë ka qenë tepër qytetare nga ana e protestuesve.
Spahia deklaroi se reagimi i policisë ishte joproporcional. Sipas tij, qytetarët sot protestojnë për korrupsionin e përhapur kudo dhe për krimin që po bën namin në vend.
“Një protestues i moshuar pati probleme, por për pak minuta u stabilizua dhe vijoi normalisht. Normalisht si mjek i dhashë ndihmën. Ishte rast që tregon vështirësitë me të cilat përballen këto qytetarë, kur protestojnë. Mosbindja civile ishte qytetare. Reagimi nga policia ishte joproporcional. Opozita proteston për kapjen e gjitha pushteteve të Ramës, të drejtësisë, ekzekutivit, legjislativit. Ka dhe arsye pa fund ekonomike, për të protestuar sot.
Shumë qytetarë janë përballë zgjedhjes ekstreme, për të qëndruar ose ikur nga vendi. Korrupsioni në vend bën namin, duke avulluar 400 mln euro pa ofruar shërbime. 170 mln euro janë harxhuar për Tunelin e Llogarasë, janë paratë e pafundme të harxhuara në Thumanë-Kashar. Krimi ka marrë hov të madh në vend. Kanë ardhur në Tiranë edhe protestues nga Shkodra, por edhe nga Lezha e zona të tjera. Qytetarët duan që Shqipëria të çlirohet nga krimi dhe korrupsioni”, deklaroi Spahia.
(Balkanweb)