Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, në emisionin ‘Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa në News24 tha se mosbindja civile e opozitës do të vazhdojë. Noka tha se PD ishte partia e qëndresës, ndërsa sot është partia që mbjell optimizëm te qytetarët.
Noka ka shmangur komentet lidhur me qëndrimet e administratës Biden në raport me Sali Berishën. “Ata kanë bërë gabime, ndaj edhe ikën nga pushteti”, tha Noka.
Deputeti demokrat tha se mosbindja civile i përfshin të gjitha. “Tirana do të jetë në duart e qytetarëve, Tirana do të bllokohet. Pikat janë të përcaktuara ku e gjithë Tirana do të jetë nga Zogu i Zi, Bashkia, Sheshi Wilson, Zogu i Zi, Pallati me Shigjeta dhe Ura te Rruga e Elbasanit. Ne do të jemi në sheshe derisa Edi Rama të njohë realitetet e reja”, tha Noka.
Ai u shpreh se paralelisht me mosbindjen civile, PD po përfundon programin e saj, që është më i miri.
Lidhur me protestën e 23 dhjetorit, Noka tha se është mosbindje civile, një formë tjetër.
“Do të marrim të gjitha përgjegjësitë që na ngarkon Kushtetuta dhe vota e qytetarëve. Kur thuhet mosbindje civile nënkuptohen të gjitha. Do të ketë bllokim të gjithanshëm. Zgjedhjet e lira janë domosdoshmëri për shqiptarët, janë jetike”, tha Noka. Ai tha se nuk do të ketë fjalime, madje as nga Berisha.