Analisti Neritan Sejamini në rubrikën “Opinion” në News24 duke folur për aksionin opozitar të “mosbindjes civile” tha se polarizimi politik në Shqipëri nuk është një ngjarje e re.
“Opozita shqiptare prej vitesh është përpjekur që të ballafaqohet me pushtetin e Edi Ramës me protesta. Por mendoj se nuk ka qenë një qasje që ka zgjidhur gjë.
Shqiptarët kanë nevojë për një qasje tjetër, që frymëzon shqiptarët, që japin një alternativë të ndryshme nga ajo e Qeverisë. Protestat nuk bashkojnë opozitën, nuk afrojnë elektoratin gri, thjesht mund të mbajnë të lidhur militantët.
Një nga problemet kryesore që ka PD është mënyra se si ka vendosur prioritetin e saj strategjik. Qëllimi i saj nuk është të rrëzojë qeverinë Rama, por të fitojë votat dhe të fitojë zgjedhjet, duke e rrëzuar në këtë mënyrë qeverinë. Nëse do të mjaftohen duke thënë të rrëzojmë qeverinë, atëherë kushtëzon opsionet e saj.
Nuk mendoj se Qeveria Rama do të bjerë para zgjedhjeve që të kemi qeveri teknike. Në kushtet kur ti kërkon diçka që varet edhe nga kundërshtari, ai ose ta jep kur i intereson, ose s’ta jep fare”, tha Sejamini.
Ai tha se opozita pretendon se vidhen apo blihen zgjedhjet, atëherë opozita duhet të ofrojë alternativën që të mbledhë votat dhe të krijojë një uragan votash.
“PD duhet që shumicën e qytetarëve kundër Qeverisë ta përkthejë në votë për të, duke ngjallur shpresën, duhet të frymëzojë, duhet të ngazëllehen me shpresën se po të vijë opozita në pushtet, do të jetojnë më mirë”, tha Sejamini.