TIRANE

Analisti, Fatos Lubonja  në në lidhje me “Skype” me studion e lajmeve në News 24 ka komentuar mosdekretimin e Gent Cakajt nga presidenti, Ilir Meta. Lubonja u shpreh se emërimi i Cakajt në krye të një ministrie të rëndësishme, kishte problematika të dukshme ndaj edhe qëndrimi i Metës, meriton të përshëndetet.

“Një akt nga ana e presidentit, që meriton të përshëndetet për dy arsye:

Te emërimi i Cakajt shoh dy probleme. Një problem është një përshkallëzim i paparë nga ana e kryeministrit i personalizimit të institucioneve. Të vendosësh një çunak 27 vjeçar është tepër problematike  dhe tallëse. Sa herë që vihet një ministër apo zv.ministër nga Kosova nuk guxon të përmendet. S’kam fare respekt për kosovarët që vijnë në këtë lloj fasade, as për intelektin e tyre. Do kisha më shumë respekt për njerëzit që e njohin problemin.

Problemi i dytë, është diçka që kalon përmasat, që është vendosur një ministër i jashtëm që del e flet për ndryshimin e kufijve. Padyshim është një politikë antievropiane me shumë pasoja. Duhet të ishte një çështje e shqiptarëve e pjekur mirë.  Thashë është një çështje e të gjithëve jo vetëm e dy kryeministrave të korruptuar. Ky refuzim i Metës, meriton në këtë aspekt një rezistencë që e bën një Shqipëri më normale në këtë anormalitet në rritje”, u shpreh ai.

Lubonja u shpreh ndër të tjera se përderisa Gent Cakaj nuk ishte pajisur me certifikatë sigurimi tregon se ai nuk respekton ligjet.

“Në të dyja rastet shikohet në sy një anashkalim i procedurave të shtetit. Në rastin e  Lleshajt një nga gjërat ishte se ky njeri nuk mund të bëhet ministër pa iu hequr grada e gjeneralit. Në rastin e këtij zotërisë, ky nuk ka certifikatë sigurimi dhe nuk respekton ligjin. Pra njerëz që nuk respektojnë ligjin edhe mund të vjedhin. Këta njerëz nuk janë të denjë përderisa nuk respektojnë ligjin. DSIK nuk ka bërë detyrën e vet. Pra shtetin e kemi fasadë dhe kjo histori duhet të mbarojë”- tha Lubonja.

Sa i përket protestës së studenteve, Lubonja tha se: “Arroganca e kësaj qeverie dhe format e paligjshme. Dialogu nënkupton besim, ndërsa Rama nuk e ka. Dredhia është e vetmja formë e Ramës. Me këtë qeveri nuk mund të arrihet asgjë pozitive. Ka nevojë për një ndryshim rrënjësor politik.  Mendoj se nga këto protesta mund t’i jepet një mësim kësaj qeverie”- tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: