Një gjykatë në Rusi ia zgjati masën e paraburgimit deri më 5 gusht, Alu Kurmashevas, gazetares së Radios Evropa e Lirë, e cila ka shtetësi amerikane dhe ruse.

Gjykata në Qarkun Sovetski të Kazanit më 31 maj po ashtu refuzoi kërkesën e avokatëve të Kurmashevas që masa e paraburgimit t’i zëvendësohet me arrest shtëpiak.

Përderisa diskutimet u bën prapa dyerve të mbyllura, përfaqësuesit e ambasadave të Australisë dhe Çekisë, por edhe gazetarët, u lejuan të hynin në gjykatore për të përcjellë disa pjesë të seancës dëgjimore.

Para se të merrej vendimi, Kurmasheva, e cila është e ndaluar në Rusi që nga 18 tetori i vitit 2023, u tregoi gazetarëve vizatime që ia kanë dërguar fëmijët.

Kurmasheva, 47 vjeç, u arrestua në Kazan tetorin e vitit të kaluar, nën akuzën se kishte dështuar të regjistrohej si agjente e huaj, në bazë të ligjit ndëshkues rus që shënjestron gazetarët, aktivistët e shoqërisë civile dhe të tjerët. Ndaj saj është ngritur edhe akuza se ka shpërndarë lajme të rreme për ushtrinë ruse dhe nëse gjendet fajtore mund të dënohet deri me 10 vjet burgim.

REL-i dhe Qeveria amerikane thonë se akuzat ndaj Kurmashevas janë hakmarrje për punën e saj si gazetare e Radios Evropa e Lirë në Pragë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: