Moska ka deklaruar se arritja e ushtarëve rusë në Venezuelë nuk përbën kërcënim për askënd, pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump i ka bërë thirrje Rusisë të tërheqë trupat e saj nga shteti i Amerikës Jugore.


Përveç kësaj Trump ka thënë se për largimin e këtyre trupave “të gjitha opsionet” janë duke u shqyrtuar. “Rusia nuk është duke ndryshuar balancin e fuqisë në rajon, Rusia nuk po kërcënon askënd”, ka thënë zëdhënësja e ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, në një konferencë për gazetarë më 28 mars.


Më herët, një diplomat i ushtrisë së Venezuelës në Moskë ka thënë se anëtarët e ushtrisë ruse kanë udhëtuar në Venezuelë, bazuar në një marrëveshje bashkëpunimi dhe nuk do të marrin pjesë në operacione ushtarake.


Më 23 mars, dy aeroplanë ushtarakë rusë kanë arritur në Karakas, duke bartuar rreth 100 pjesëtarë të ushtrisë ruse, përcjell REL. Ky hap ka ardhur pas përballjeve diplomatike në mes të Uashingtonit dhe Moskës për udhëheqësinë e këtij shteti.

Shtetet e Bashkuara përkrahin liderin opozitar, Juan Guaido, i cili së fundmi ka shpallur veten president të përkohshëm, derisa Moska favorizon presidentin e kontestuar, Nicolas Maduro. Rusia ka bërë investime miliardëshe në Venezuelë, dhe ka mbetur aleate e palëkundur e Maduros.

Qeveria amerikane beson se pjesë e trupave ruse, që kanë shkuar në Venezuelë, janë edhe pjesëtarë të forcave speciale dhe ekspertë të sigurisë kibernetike.

BalkanWeb