GJERMANI- Kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të vizitojë Britaninë javën e ardhshme ku do të takojë kryeministrin David Cameron.

Zyra për mediat e kancelares gjermane, ka njoftuar se bisedimet e së mërkurës do të përqendrohen në çështjet dy palëshe, evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe për përgatitjet e radhës së G7, i cili do të mbahet më 7 dhe 8 qershor në Bayern.

Londra dhe Berlini kohëve të fundit kanë pasur mosmarrëveshje për planet e qeverisë së Cameronit, për të kufizuar emigracionin nga shtetet e BE-së.

Merkel paralajmëroi kryeministrin Cameron në tetor se po i afrohej një “pike pa kthim” me BE-në me propozimin për të kufizuar futjen e emigrantëve nga vendet e tjera anëtare.

Nëse i fiton zgjedhjet e përgjithshme në muajin maj, Cameron është zotuar se do të organizojë një referendum në vitin 2017, ku qytetarët do të votojnë nëse duan bashkim me BE-në apo jo.

Gjatë qëndrimit në Londër, Merkel ka në plan të vizitojë ekspozitën “Gjermania: Kujtimet e një kombi”, në Muzeun Britanik që sjell gjurmët 600-vjeçare vjet të historisë gjermane deri në rënien e Murit të Berlinit në 1989.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb