BEOGRAD- Shërbimet meteorologjike në rajon paralajmërojnë se gjatë fundjavës stuhi të fuqishme me dëborë pritet të përfshijnë të gjithë Gadishullin Ballkanik.

”Drejtuesit e automjeteve paralajmërohen që të mos nisen për rrugë pa nevoja urgjente”, njoftoi sot agjencia serbe e lajmeve, TANJUG.

Në Kroaci, Mal të Zi dhe Serbi shërbimet meteorologjike paralajmërojnë se ulja e temperaturave është vetëm fillimi i stuhisë me dëborë që gjatë fundjavës dhe ditëve të fundit të vitit do të përfshijnë tërë rajonin.

Në Malin e Zi reshje dëbore ka në Cetinjë, ku është i detyrueshëm posedimi i pajisjeve dimërore, ndërsa për shkak të reshjeve të dëborës është vështirësuar edhe komunikacioni në aksin rrugor Podgoricë-Cetinjë.

Media në Bosnje-Hercegovinë njofton se reshje intensive të dëborës ka në male ku gjatë fundjavës priten skiatorë pasi shtresa e dëborës do të arrijë 20 deri në 30 centimetra.

Media kroate paralajmëron se temperaturat e ulëta janë vetëm një hyrje për atë që pason, veçanërisht gjatë fundjavës, ku në disa pjesë të vendit pritet dëborë deri në gjysmë metri.

Reshje të fuqishme të dëborës në territorin e Serbisë priten të dielën pasdite, të cilat do të formojë një shtresë prej 10 deri në 30 centimetra. Reshjet e borës do të shoqërohen me erëra të fuqishme.

Edhe Maqedonia do të përfshihet nga moti shumë i ftohtë në fundjavë.

Meteorologët paralajmërojnë se nga e hëna e 29 dhjetorit deri të shtunën, më 3 janar, nuk priten më temperatura të ulëta dhe ditë të ftohta.
(ma.ar/mia/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: