Moti i keq me reshje të dendura shiu dhe erë të fortë që ka përfshirë vendin ka krijuar probleme në disa zona.

Ashtu si një vit më parë një këmbë e urës se Vanës në lumin e Kalasë në Delvinë ka pësuar shembje. Ujërat e lumit kanë gërryer bazamentin e urës ndërsa objekti qëndron në këmbë vetëm mbi disa inerte. Edhe pas apeleve të vazhdueshme që banorët bëjnë prej kohësh për nderhyrje në urë, institucionet nuk reaguan duke bërë që ajo sërish të pësojë shembje dhe të bëhet e pakalueshme. Në dhjetor të vitit 2017 kjo urë u shemb duke rrezikuar jetën e disa udhëtarëve, pasi një furgon mbeti mbi të.

Reshjet e dendura kanë shkaktuar probleme në Gjirokastër ku përroi i Çullos ka nxjerrë inerte në rrugë duke e bërë tepër të vështirë kalimin e mjeteve. Në Lazarat nga prurjet e shumta ka dalë nga shtrati përroi i Pllashnjës duke rrezikuar 55 familjet e lagjes Lenxat. Vështirësi është hasur edhe në përroin e Sopotit ku është ndërhyrë për mbajtjen nën kontroll nga prurjet dhe inertet.

Në Durrës janë përmbytur disa zona të qytetit, ndërsa disa rrugë u bënë të pakalueshme për automjetet dhe këmbësorët. Kapiteneria e Durrësit pezulloi lundrimin për peshkarexhat ndërsa vonesa pati edhe me nisjen e 2 trageteve nga Bari.

Në portin e Vlorës mbetet i paralizuar trafiku detar pasi ka patur ere të fortë dhe reshje të dendura shiu. Sipas kapitenerisë së portit të Vlorës, deti ka qënë me fuqi deri në 8 balle në det të hapur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb