Ministria e Mbrojtjes ka dhënë detaje në lidhje me motin e keq.

MM shprehet se akset kombëtare në vendin tonë janë të kalueshme. Zona problematike sa i përket rrugëve ka ende në Dibër, Bulqizë, Klos, Mat, Krujë, Fushë-Arrëz, Pogradec, Has etj.

“Situata nga moti në vend.

Bazuar në informacionet e dërguara në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile nga strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile në nivel qendror dhe vendor, situata deri në orët e para të ditës paraqitet relativisht e qetë, krahasuar me ditët që lamë pas.

Nga raportimet e Autoritetit Rrugor Shqiptar, ditën e sotme  të gjitha akset kombëtare janë të kalueshme.

Në bashkinë Dibër ka problematika në  rrugët rurale në disa fshatra të njësive Maqellare, Melan, Luzni, Muhurr. Po punohet për hapjen e rrugëve që lidhin njësinë administrative Kala e Dodës me fshatrat Sllovë, Selishtë dhe Arras.

Në bashkinë Bulqizë: Janë të bllokuara rrugët  rurale  të njësive administrative Ostren, Trebisht, Klenjë, Gjoricë, Zerqan dhe aksi rrugor Trebisht-pikë kalimi kufitar.

Në bashkinë Klos: janë të bllokuar rrugët e fshatrave me qendrat administrative Gurë dhe Xibër.

Në bashkinë Mat janë të bllokuara 2 fshatra në njësinë administrative  Komsi dhe aksi rrugor Vig Macukull.

Në bashkinë Krujë po vijon puna për hapjen e rrugës që lidh fshatin Shkretë me aksin Cudhi-Qafështamë.

Në bashkinë Fushë-Arrëz vazhdon të jetë e bllokuar rruga me njësinë administrative Iballë me fshatrat e saj.  Në Bashkinë Devoll vijon puna për hapjen e rrugëve lidhëse me fshatrat Miras.

Në bashkinë Pogradec po punohet për hapjen e rrugëve të fshatrave Proptisht, Velçan, Trebinjë, Dardhas dhe Çërravë.

Në bashkinë Has po punohet për hapjen e rrugës që lidh njësinë administrative Arrën me rrugën nacionale dhe rrugët e fshatrave Cahan dhe Xhebexhi.

Vijojnë angazhimin për normalizimin e situatës  në Vlorë, prej tashmë tre ditësh Forcat e Armatosura me 7 pompa thithëse dhe 15 mjete të kalueshmërisë së lartë, ekskavatorë, kamionë vetëshkarkues  etj.

Sipas parashikimit të motit në ditët në vazhdim nuk do ketë prezencë të reshjeve të shiut apo të borës në të gjithë vendin. Temperaturat do vijojnë të ulen, ku në veri të vendit do të shkojë në -11 gradë celsius.

Janë në gatishmëri të plotë të gjitha kapacitetet në nivel qendror dhe vendor të sistemit të mbrojtjes civile për përballimin e çdo situate që mund të shkaktohet nga kushtet e motit”, thuhet në njoftim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb