FUSHË-KRUJË

Banorët e Krujës, Laçit, Lezhës, por edhe ato të Fushë-Krujës kanë kaluar një natë të vështirë pasi reshjet e shiut shkaktuan përmbytje në banesat e tyre.  Gazetari i “BalkanWeb”, Prend Shota raporton se qindra hektarë tokë kanë përfunduar nën ujë, ndërsa banorët kanë humbur thuajse gjithçka pasi uji ka vërshuar brenda banesave të tyre.

Ai thekson se situata është më e vështirë se në 2017 dhe qindra familje e kanë kaluar natën jashtë nga frika e përmbytjeve. Probleme  gjithashtu ka pasur përgjatë akseve rrugore, ku raportohet se në Fushë-Krujë është krijuar një radhë e gjatë automjetesh dhe qarkullimi thuajse është paralizuar në këtë zonë.

“Situata paraqitet tepër alarmante, niveli i ujit ka arritur deri aty sa janë me dhjetëra banesa të rrethuara nga uji në disa fshatra. Me dhjetëra shtëpi janë të mbuluara nga uji. Situata është më keq se në vitin 2017. Banorët kanë dalë jashtë që në orën 01:00 të natës, çdo gjë është nën pushtetin e ujit. Nëpër fshatra ka përmbytje të mëdha në pjesën veriore, por me qindra hektarë janë nën ujë. Nuk ka pasoja në jetë njerëzish, por vetëm dëme materiale”-theksoi gazetari, Prend Shota.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb