Policia e Shtetit ka apeluar për kujdes të shtuar nga drejtuesit e mjeteve për shkak të situatës së krijuar si pasojë e motit të keq dhe reshjeve të shtuara të shiut dhe reshjeve të dëborës në zonat malore.
Sqarohet se nuk ka asnjë aks rrugor të bllokuar momentalisht por këshillohet pajisja me zinxhirë dhe goma dëbore në zonat përkatëse.
Njoftimi:
Si pasojë e motit të keq me reshje shiu dhe në disa zona malore me reshje dëbore, Policia e Shtetit apelon për kujdes të shtuar për drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve, që të bëjnë kujdes në lëvizje, të respektojnë sinjalistikën rrugore, të reduktojnë shpejtësinë për shkak të lagështirës dhe të prezencës së ujit në disa segmente rrugore.
Për lëvizjen në akset rrugore në zonat malore ku ka reshje dëbore të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore.
Të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve të ndjekin udhëzimet e shërbimeve të Policisë Rrugore.
Deri në këto momente nuk ka asnjë aks rrugor të bllokuar.
Ndërkohë, në të gjitha drejtoritë janë ngritur grupet e emergjencës dhe po mbajnë kontakte me përfaqësuesit e pushtetit vendor, me firmat kontraktore dhe emergjencat civile.
Në rast nevoje, telefononi në numrin pa pagesë 112 dhe shërbimet e Policisë do t’ju vijnë menjëherë në ndihmë.