Prefekt i qarkut Korçë Nertil Jole, në një lidhje skype në News24, ka dhënë detaje sa i përket situatës së krijuar nga kushtet e vështira të motit, temperaturat e ulëta dhe reshjet e dëborës.

Ai ka bërë me dije se janë marrë të gjitha masat që shërbimi të ishte prezent në ndihmë të qytetarëve ndërsa strukturat vendore kishin marrë masat që gjithçka të ishte nën kontroll.

“Bora ka qenë prezentë që në orët e para të mëngjesit të djeshme, situatë që e prisnim nga njoftimi i shërbimit meteorologjik ushtarak që na dha kohë të përgatiteshim.

E kemi organizuar punën për të garantuar që shërbimet të ishte prezent që ditët e para me pastrimin dhe kriposjen për të mos lejuar ngricat që mund të shkaktoheshin nga temperaturat e ulëta.

Parashikohet një mbrëmje më e qetë krahasuar me ditën e djeshme”, tha ai.

Duke u ndalur në situatën me rrugët dhe kalueshmërinë e tyre, Jole tha se ngadalësimi i qarkullimit ka ndodhur nga fakti që qytetarët nuk kanë qenë të përgatitur me goma dimërore apo zinxhirë, pavarësisht paralajmërimeve.

“Aksi Qafë Thanë- Kapshticë, është aksi me frekuencë më të lartë të lëvizjes që lidh komunikimin me shtetit fqinj.

Qafë Thanë, Qafë Plloçë, Ersekë-Leskovik, Maliq-Strelcë, të gjitha akset nën monitorim të vazhdueshëm, orët në vijim besoj se do të jenë edhe më të mira.

Sa i përket bllokimit në Qafë Thanë, mund të përmendim që në fundjavë qarku jonë është shumë i vizituar gjatë kësaj periudhë. Jo të gjithë qytetarët ishin të përgatitur dhe nuk kishin marrë masa me goma dimërore dhe zinxhirë, kjo ul edhe ritmin e borëpastruesve.

Kemi pasur sinjalizime për qytetarët të përgatitur për kushtet e motit që kanë ngelur në rrugë, i kemi asistuar derisa janë zhbllokuar e janë nisur drejt destinacionit që kishin”, tha ia.

Prefekti Jole u ndal dhe tek problematikat me energjinë elektrike, që ka qenë prezent në disa nga fshatrat e thella të këtij qarku.

“Kemi pasur situata dhe probleme me energjinë elektrike në zonat e thela malore. Kemi pasur situatë në disa nga fshatrat, numri i abonentëve pa energji mbrëmjen e djeshme ka qenë 1 mijë ndërkohë që sot numri i tyre është përgjysmuar. Vijon ende puna për përmirësimin e situatës.

Bashkëpunimi me policinë e shtetit ka qenë në nivel shumë të mira”, ka përfunduar ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb