Ruben Amorim ka thënë fjalët e ara si trajner i Manchester United.  Në intervistën e dhënë, ai tregon motivin për zgjedhjen e bërë dhe zbulon disa prapaskena.

“Unë fola me presidentin dhe Hugo Viana (drejtorin sportiv), iu thashë të dyve se, çfarëdo që të ndodhë, ky do të ishte sezoni im i fundit me Sportingun. Presidenti mund ta konfirmojë këtë që po them”.

Si erdhi negociata me klubin anglez?
Sezoni filloi dhe ne e nisëm shumë mirë. Më pas erdhi situata te Manchester United. Ata paguan më shumë se klauzola ime e lirimit. Unë kurrë nuk kam diskutuar asgjë me presidentin në lidhje me këtë. E vetmja gjë që kisha folur ishte largimi në fund të këtij sezoni. Manchester United më la vetëm tri ditë kohë për të vendosur, pastaj do të kalonte në opsion tjetër për stolin e vet. Nuk mund ta refuzoja, sepse bëhet fjalë për një ndryshim rrënjësor në karrierën dhe jetën time.

A keni pasur oferta të tjera para Manchester United?
Po, kam pasur mundësi të tjera, presidenti dhe Hugo Viana mund të konfirmojnë, sepse nuk është hera e parë apo e dytë që një klub tjetër më kërkon. Në Manchester dua të më lejojnë t’i bëj gjërat sipas mënyrës sime. Sigurisht, do të marr me vete krejt stafin teknik që kisha këtu. Ishte një zgjedhje ‘merre ose lëre’, sepse drejtuesit e Manchester United më vunë para alternativës së vetme: tani ose kurrë.

Thuhet se në të kaluarën, klube të tjera ishin gati të bënin gjëra të çmendura për ju…
Njerëzit thonë se ka të bëjë me paratë, por ishte një ekip tjetër që donte të nënshkruante me mua më parë dhe më ofroi tri herë më shumë para se Manchester United. Unë dhashë gjithçka për Sportingun. Është e vështirë për mua të largohem, i dua këta njerëz, por më vunë para zgjedhjes: tani ose kurrë. Pra, duhej të bëja zgjedhjen time.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb