Aleks Markez ka marrë fitoren e tij të parë në karrierë në Moto GP, teksa dje triumfoi në Çmimin e Madh të Spanjës. I nisur nga vendi i katërt, piloti i skuadrës Dukati, Gresini, zhvilloi një garë të shkëlqyer në Herez në eventin e pestë sezonal të kampionatit.
Me këtë sukses, Aleks Markez ka marrë edhe kreun në renditjen e pilotëve, teksa dje u shfaq autoritar ndaj rivalëve, duke triumfuar bindshëm. Pas tij, në vijën e finishit mbërritën Fabio Kuartararo i Yamahas dhe Françesko Banjaja me motorin zyrtar të Dukatit, të cilët kompletuan podiumin, përkatësisht në shkallën e dytë dhe të tretë.
Një tjetër hap fals për Mark Markezin, i cili pas zero pikëve në Ostin, pati një të diel për t’u harruar në Herez, teksa u rrëzua për ta përfunduar garën në vendin e 12-të, duke lëshuar kështu edhe vendin e parë. Ngushëllimi i vetëm për Mark Markezin ishte Sprinti i së shtunës, ku mori suksesin e pestë në po kaq minigara të këtij sezoni. Tetë herë kampioni i botës tashmë ka zbritur në vendin e dytë, teksa ndodhet në kuotën e 139 pikëve, me 1 pikë më pas se vëllai i tij Aleks. Ndërsa, Peko Banjaja mban vendin e tretë me 120 pikë.
GARA – Çmimi i Madh i Spanjës u karakterizua nga rrëzimi i Mark Markezit që në xhiron e tretë, megjithatë piloti i Dukatit arriti të rinisej, pavarësisht të dëmeve në motor, për ta kapur zonën e pikëve. Menjëherë pas rrëzimit të vëllait, Aleks Markez parakaloi Banjajan, ndërsa në xhiron e fundit spanjolli realizoi edhe parakalimin vendimtar, duke i hapur rrugë suksesit me shkëputje. Top-5 në Herez u plotësua Maverik Vinjales me KTM Tech3 dhe Fabio Di Xhanantonio me VR46. Ndalesa e radhës e Botërorit do të jetë Çmimi i Madh i Francës, event që do të mbahet të dielën e 11 majit.

