Dy motra të arratisura nga Arabia Saudite thanë të premten se kanë aplikuar për azil në Gjeorgji. Por megjithatë ato thonë se ndihen të frikësuara se familjarët e tyre mund t’i gjenin dhe t’i detyrojnë të kthehet në mbretërinë islamike ultra-konservatore.

Autoritetet e emigracionit në ish-republikën sovjetike u ofruan motrave ndihmë dhe siguri të enjten, disa ditë pasi apeli i tyre për mbrotje, publikuar në internet, bëri xhiron e botës. Por motrat, Maha al-Subaie 28 vjeç dhe Wafa al-Subaie 25 vjeç, thanë se do të donin të shkonin në një vend ku Arabia Saudite nuk ka qasje pa vizë.

“Nuk jemi të sigurta këtu dhe duhet të largohemi sa më shpejt të jetë e mundur”, thanë ato për fondacionin “Thomson Reuters” nga llogaria e tyre në twitter (@GeorgiaSisters).

Vajzat janë strehuar nga autoritetet gjeorgjiane dhe ato janë në mbrotjen e policisë, por motrat thonë se kanë frikë nga një hakmarrje e mundshme e të afërmëve të tyre, të cilët ato i akuzojnë për rrahje dhe abuzim me to. Motrat kanë postuar në internet edhe foto me të nxira e gërvishtje në trupin e tyre.

Fondacioni “Thomson Reuters” nuk ka mundur ende të kontaktojë me familjen al-Subaie.

“Nuk mund të jetojmë një jetë normale. Vëllezërit e mi, familja ime e madhe, kushërinjtë, xhaxhallarët, çdokush mund të vijë këtu”, tha Wafa.

“Ne jemi një turp i madh për vendin tim, për familjen, për të gjithë”, shtoi ajo, duke iu referuar arratisjes nga vendi dhe shfaqjes së tyre publikisht në internet, pa veshur shami koke.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb