Ndeshja e së shtunës u gjykua nga Kreshnik Cjapi, një nga arbitrat e afirmuar të vendit tonë.
Ndeshja në përgjithësi qe e tensionuar, por u menaxhua mirë nga ana e tij sa i përket këtij aspekti. Sakaq, dyshohet për një penallti në favor të Partizanit. Në këtë moment me përgjegjësi ngarkohet edhe VAR-i, ku drejtonte Klodian Prenga.
50’ Një top endet në ajër dhe kontrollohet me krah nga Rashica në një duel në kufijtë e zonës së Skënderbeut. Cjapi dhe anësori i dytë nuk e shquajnë dhe vijojnë lojën. VAR-i kontrollon për pak sekonda dhe më pas lejon vazhdimin e ndeshjes. Duhet një prekje me sup fillimisht e më pas topi përplaset në pjesën e bërrylit, çka përbën ndërhyrje të parregullt. Nga ana tjetër pamjet nuk tregojnë 100% nëse prekja ka ndodhur brenda apo jashtë zonës, por më së shumti duket brenda, çka përbën kriteret e një penalltie të padhënë në favor të Partizanit.