Ministria e Jashtme e Kosovës këshilloi të premten shtetasit e Kosovës që të shfaqin kujdes dhe maturi në rast se nuk mund të shmangin lëvizjen nëpër territorin e Serbisë. Ajo i bëri këto thirrjet nëpërmjet një njoftimi, për shkak të siç thuhet, ndalimeve të shpeshtuara të qytetarëve të Kosovës gjatë udhëtimit nëpërmjet territorit të Serbisë.


Ministria e Jashtme u tërheq vëmendjen qytetarëve se “se Serbia nuk është më një territor i cili ofron as siguri minimale për integritetin e tyre fizik dhe juridik, dhe as për familjarët e tyre. Për rrjedhojë, sugjerohet evitimi i përkohshëm i qarkullimit përmes këtij vendi”,thuhet në komunikatë, në të cilën theksohet se ky njoftim është rrjedhojë e arrestimeve të vazhdueshme të qytetarëve të Kosovës nga ana e institucioneve të Serbisë.


Në njoftim thuhet se, “Serbia, pa përjashtim, për qëllime politike dhe qëllime tjera jo demokratike, në kundërshtim me praktikën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar dhe me të drejtën ndërkombëtare dhe atë evropiane, si dhe në kundërshtim më obligimet që dalin nga marrëveshjet e Brukselit, jashtëligjshëm, mund t’ju ndaloj arbitrarisht kalimin në territorin e saj”.


Ministria e Jashtme u ka bërë thirrje me këtë rast institucioneve të Bashkimit Evropian që, siç thuhet, të korrigjojnë këtë sjellje agresive të Serbisë.

“Ndryshe nga këto praktika primitive të Serbisë, Republika e Kosovës vepron në formë të matur, të civilizuar dhe demokratike, dhe për dallim, nuk i trajton qytetarët e Serbisë në forma jo ligjore dhe jo demokratike, për aq kohë sa ata nuk janë të lidhur me krimin, dhe i respektojnë ligjet e Republikës së Kosovës”,thuhet në njoftim duke i bërë thirrje Serbisë që të heq dorë nga praktikat fashiste dhe se liria e lëvizjes është e drejtë universale e secilit dhe respektohet pavarësisht agjendave politike.

Gjatë muajve të fundit, në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë ndaluar dhe intervistuar qytetarë që kanë lëvizur nëpërmjet territorit të Serbisë por edhe politikanët serb që nuk janë pjesë e Listës serbe, subjekt ky i mbështetur nga Beogradi zyrtarë.

Po ashtu janë shënuar shpesh raste të ndalimit dhe marrjes në pyetje të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovë nga radhët e komunitetit serb.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb