Kosovë- Ministria e Punëve të Jashtme, pas shpërthimit të luftës dhe rrezikshmërisë së lartë në Jemen, ka arritur që të evakuojë 7 shtetas kosovarë që ishin me banim të përkohshëm atje.

Këta qytetarë kosovarë, pas një ndërhyrje ushtarake në Jemen kishin kontaktuar për ndihmë Ambasadën e Kosovës në Riad të Arabisë Saudite, por operacionet për evakuimin e tyre ishin rrezikuar shumë herë.

Autoritetet e Kosovës bashkë me autoritetet turke dhe pakistaneze, që gjithashtu kishin qytetarë të tyre në zonën e luftës, kishin organizuar disa herë operacione për evakuimin e shtetasve kosovarë dhe turq, por për arsye të rrezikshmërisë së lartë të udhëtimit ajror ishin detyruar që t’i anulojnë ato.

Megjithatë, pas shumë përpjekjeve më në fund është arritur të bëhet evakuimi i tyre, i cili është konfirmuar nga Ministria e Punëve të Jashtme.

“Pas shumë përpjekjeve, shteti i Xhibutit shprehu gatishmërinë për të na ndihmuar në evakuimin e shtetasve tanë bashkë me shtetasit e tyre nga Jemeni dhe operacioni për evakuimin e tyre pati sukses. Gjendja në Jemen ishte duke u përkeqësuar gjithnjë e më shumë dhe pritej edhe ndërhyrja me trupa tokësore”, ka thënë zëvendësministri i Jashtëm, Petrit Selimi.

Sipas tij, shtetasit e Kosovës kanë hipur në një aeroplan që kishte për destinacion një aeroport ushtarak dhe tashmë janë në rrugën e kthimit për në Kosovë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb