Një grua 84-vjeçare është gjetur gjallë tre ditë pasi një tërmet i fuqishëm goditi Indonezinë lindore, në një operacion shpëtimi që autoritetet lokale e kanë cilësuar si një mrekulli.
Paulina Pobi u gjet e gjallë të martën, pasi kishte mbetur e bllokuar nën rrënojat e shtëpisë së saj në fshatin Nitunglea, në ishullin Palue, pranë Floresit.
Tërmeti me magnitudë 7.7 goditi zonën të shtunën në mëngjes, duke shkaktuar të paktën 73 viktima, mbi 900 të plagosur dhe duke lënë rreth 60 mijë persona të pastrehë.
MUKJIZAT! 4 HARI TERTIMBUN RERUMPUAN RUMAH, NENEK LUMPUH DI NTT BERHASIL DIEVAKUASI SELAMAT 🙏😭
Kisah haru dan keajaiban nyata datang dari lokasi terdampak gempa NTT. Nenek Paulina Pobi, lansia sebatang kara berusia 84 tahun warga Desa Nitunglea, Pulau Palue, Kabupaten Sikka,… pic.twitter.com/qC3ZlCVViX
— Sumatera Adil & Federal (@indepenSumatera) August 19, 2026
Një rrëshqitje dheu e shkaktuar nga tërmeti kishte bllokuar hyrjen në fshat, ndërsa shtëpia prej bambuje e gruas ishte shembur mbi të.
Sipas zyrtarëve lokalë, Pobi ishte e paralizuar dhe nuk mund të lëvizte apo të thërriste për ndihmë. Familjarët arritën ta gjenin pas disa ditësh dhe ekipet e shpëtimit e nxorën nga rrënojat.
Gruaja u transportua në qendrën më të afërt shëndetësore, ku gjendja e saj u përshkrua si e mirë. Ajo nuk kishte pësuar dëmtime serioze, por ishte shumë e dobët pasi kishte kaluar disa ditë pa ushqim dhe ujë.
“Duket e pabesueshme, pothuajse si një mrekulli”, deklaroi zyrtari lokal Rudolfus Riba.
Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë në zonat e prekura nga tërmeti, ndërsa ekipet po kontrollojnë rrënojat për persona të tjerë që mund të kenë mbetur të bllokuar.
Agjencia indoneziane e menaxhimit të fatkeqësive ka bërë të ditur se rreth 398 tonë ndihma janë transportuar drejt zonave të prekura. Ndihmat përfshijnë ushqime, tenda dhe materiale për strehim.
Shpërndarja e tyre mbetet e vështirë për shkak të terrenit malor të Floresit dhe dëmtimeve të rrugëve.
Qeveria ka angazhuar avionë ushtarakë, anije dhe personel shtesë për të ndihmuar komunitetet e izoluara.
Ndërkohë, agjencia gjeologjike e Indonezisë ka regjistruar më shumë se 3,000 lëkundje pasuese që nga tërmeti i së shtunës. Të paktën 86 prej tyre kanë qenë mjaftueshëm të forta për t’u ndjerë nga banorët.
Frika nga lëkundjet e reja ka bërë që mijëra persona të shmangin kthimin në shtëpitë e dëmtuara, ndërsa autoritetet vijojnë përpjekjet për të siguruar zonat e goditura dhe për t’u ofruar ndihmë banorëve.
