Një mrekulli ka ndodhur në Nepal, ku dy punëtorë janë nxjerrë të gjallë nga një tunel i lidhur me një hidrocentral, nëntë ditë pasi u bllokuan pas një rrëshqitjeje masive dhe përmbytjeve që goditën zonën e lumit Trishuli.

Dy të mbijetuarit janë identifikuar si Sanjaya Shah, inxhinier përgjegjës, dhe Kabir Marjahan, inxhinier mbikëqyrës në hidrocentralin Upper Trishuli 3A. Ata u nxorën nga tuneli gjatë operacionit intensiv të kërkim-shpëtimit.

Momenti i shpëtimit erdhi pasi ekipet dëgjuan zëra nga thellësia e tunelit. Shpëtuesit u kanë bërë thirrje punëtorëve: “Mos u frikësoni, ne jemi këtu për t’ju shpëtuar”, ndërsa nga brenda është dëgjuar një përgjigje e dobët: “Në rregull”.

Gjendja e dy punëtorëve është e ndryshme. Sipas autoriteteve, Marjahan nuk mund të lëvizë krahët dhe këmbët, ndërsa plagët e Shah nuk janë serioze. Të dy janë transportuar drejt një spitali në kryeqytetin Katmandu për trajtim mjekësor.

Shpëtimi i tyre ka rritur shpresat se edhe persona të tjerë mund të jenë ende gjallë brenda tuneleve. Ekipet e shpëtimit besojnë se të paktën 900 persona mund të jenë bllokuar në tunele të lidhura me gjashtë projekte hidroelektrike përgjatë lumit.

Tragjedia nisi më 26 gusht, kur një rrëshqitje masive e akullit, shkëmbinjve dhe baltës goditi luginën, duke shkaktuar përmbytje dhe dëme të mëdha. Qindra persona rezultojnë ende të zhdukur, ndërsa autoritetet vijojnë kërkimet në zonat e prekura.

Për të rritur shanset e mbijetesës, inxhinierët po pompojnë vazhdimisht oksigjen në tunele, ndërsa ekipet përdorin të gjitha teknologjitë dhe pajisjet e disponueshme. Në operacion po ofrohet gjithashtu ndihmë ndërkombëtare nga India, Kina, Koreja e Jugut dhe Australia.

Katastrofa ka shkaktuar dëme të mëdha edhe në sektorin energjetik të Nepalit. Të paktën 11 hidrocentrale janë dëmtuar ose shkatërruar, ndërsa rreth 10% e kapacitetit të përgjithshëm të prodhimit të energjisë elektrike të vendit është prekur.

Autoritetet vlerësojnë se më shumë se 20 mijë shtëpi duhet të rindërtohen dhe kostoja e rimëkëmbjes mund të kalojë 5 miliardë dollarë. Ndërkohë, ushtria ka deklaruar se operacioni i kërkim-shpëtimit do të vijojë për aq kohë sa të ketë shpresë për të gjetur të mbijetuar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb