“Na erdhi në shtëpi me një thikë të madhe në dorë dhe pasi plagosi njërin prej nesh, kërcënonte se do të na vriste të gjithëve.

Pata frikë se do të na sulmonte edhe gratë e fëmijët, ndaj shkula një dru nga gardhi dhe e godita në kokë”. Kështu e ka nisur dëshminë në Policinë e Dibrës 68- vjeçari Veli Çidhnoku. Ai është arrestuar për veprën penale të “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare” në bashkëpunim, pasi është i dyshuar si autor i krimit ku mbeti i vdekur ish-dhëndri i tij, Adriatik Jella.

Vetë 68- vjeçari Cidhnaku ka pranuar para oficerëve të Policisë Gjyqësore se është ai autori i vrasjes së ish-dhëndrit, Adriatik Jella. Por zyrtarë të Policisë Lokale thonë se kjo deklaratë e tij mbetet për t’u provuar, pasi viktima ka pasur konflikte më kunetërit dhe mysafirët e familjes Cidhnaku. Të dyshuar për ngjarjen janë edhe miku i familjes, Flamur Delishi (i cili mbeti i plagosur) dhe Gani Cidhnoku.

LIRIMI NGA GJYKATA

Pas kësaj ngjarjeje të rëndë, banesa e autorëve të krimit është marrë në mbrojtje nga efektivët e Policisë Bulqizë, pasi ka dyshime se të afërmit e Jellës mund të hakmerren ndaj familjes Cidhnaku. “Pas arrestimit, Veli Cidhnaku ka pranuar autorësinë e ngjarjes. Ai ka pohuar se konfliktet me dhëndrin kanë nisur katër muaj më parë, kur ai është arrestuar nën akuzën e dhunës në familje. Vajza e tij e ka denoncuar në Polici se Adriatiku e rrihte dhe e kërcënonte me jetë.

Pas arrestimit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër e dënoi me një vit burg. Por pas dy a tre muajsh, Gjykata e Apelit në Tiranë vendosi lirimin e Jellës nga Burgu i Burrelit. Viktima ka qenë një person problematik dhe i dhunshëm. Ai është denoncuar jo vetëm nga gruaja, por edhe nga qytetarë të tjerë si person që krijonte incidente”, thanë zyrtarë të Policisë Dibër. Ato shtuan se çështjen po e hetojnë Krimet e Rënda, por pak orë pas arrestimit, Veli Cidhnaku është shprehur se duke goditur Adriatik Jellën me një dru në kokë, ka mbrojtur nderin e familjes dhe të miqve të familjes.

DESHMIA E VJEHRRIT

“Familja ime ishte e tronditur. Djalit tim, Adriatikut, i preu veshët në mes të Maqellarës. Jo vetëm na turpëroi publikisht, por rrezikoi jetën e tij. Pak orë pas ngjarjes, në shtëpi erdhi dhëndri tjetër dhe një miku ynë. Erdhën të na qetësojnë për atë që ndodhi në Maqellarë. Nuk e mendonim kurrë se Adriatiku do të guxonte të na vinte në shtëpi pas asaj që bëri”, është shprehur në Polici 68-vjeçari Cidhnaku. Ai ka treguar me hollësi momentin, kur rreth orës 21:00 të së enjtes, ka dëgjuar zëra në oborrin e banesës dhe së bashku me djemtë dhe miqtë e familjes ka dalë nga shtëpia. Në afërsi kanë parë 39-vjeçarin Jella. “Më nxirrni gruan se do ta marr me vete. Po nuk u bindët, do t’ju vras të gjithëve, që nga fëmijët e djepit. Mos guxoni të afroheni. Nuk shpëton asnjë i gjallë”, na thoshte dhëndri, që mbante në dorë një thikë të madhe”, është shprehur më tej 68-vjeçari i arrestuar.

Sipas të moshuarit, Jella i është sulur fillimisht mikut të shtëpisë, Flamur Delishit, duke e plagosur rëndë në bark. Kur ai ka parë mikun e rrëzuar përdhe që ishte plagosur, ka reaguar duke e qëlluar dhëndrin me dru në kokë.

“M’u errën sytë. Adriatiku fillimisht nuk la fjalë pa thënë për gratë e shtëpisë. Pastaj plagosi rëndë mikun tonë. Unë nuk mund të bëja sehir. Nderi ynë ra përtokë. Kisha frikë që dhëndri do të vazhdonte sulmin me thikë ndaj djemve dhe grave. Shkula nga gardhi një dru dhe e godita në kokë. Nuk na ka lënë gjë pa bërë ky person. Lus Zotin që kam gjallë djalin dhe mikun. Drejtësia duhet të thotë fjalën e saj.

Policia dhe Gjykata nuk bënë si duhet detyrën, ndryshe nuk të kishte ndodhur gjithë kjo hata”, ka shtuar Veli Cidhnaku. Pas ngjarjes, ai nuk është larguar nga banesa, por ka pritur mbërritjen e Policisë Lokale. Në vijim të rrëfimit të ngjarjes, vjehrri i viktimës ka treguar se Policia e ka transportuar fillimisht dhëndrin në gjendje të plagosur deri tek ura e Topojanit me një barelë të improvizuar, ndërkohë aty ka mbërritur një ambulancë e Spitalit Rajonal të Peshkopisë.

Gjatë udhëtimit për në spital, Adriatik Jella ka ndërruar jetë për shkak të goditjeve që kishte marrë në kokë. Dyshimet e Policisë janë se vjehrri ka marrë përsipër ngjarjen e rëndë për të shpëtuar nga ndëshkimi dy djemtë dhe miqtë e familjes së tij. Ai u është lutur autoriteteve vendore të Policisë të marrin masa për të mbrojtur të afërmit e tij, pasi janë të rrezikuar seriozisht nga njerëzit e Jellës./panorama

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: