Në rubrikën “Çështja e Ditës” të gazetarit Klevin Muka në News24 është diskutuar mbi deskriptimin e mesazheve të SKY EÇ, për të cilën një ditë më parë në sallën e Kuvendit pati debate të forta, pas akuzave të kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, sipas të cilit drejtori i Policisë së Shkodrës është caktuar nga bandat e Shkodrës.

Gazetari Igli Çelmeta duke iu referuar bisedave në SKY, që janë pjesë e dosjes “Metamorfoza”, thuhet “mua, Zefit dhe Mondit, na duhet një dimër aty”. Çelmeta tha se ky është mesazhi që është dërguar nga ish-funksionari i policisë Ardit Hasanbegaj, pjesë e dosjes “Metamorfoza”.

Çelmeta tha se bisedat në SKY i përkasin vitit 2020, ndërsa Drejtori aktual i Policisë së Shkodrës, është vendosur në vitin 2023.

“Mesazhet që flitet në SKY nuk kanë lidhje me drejtorin aktual të Policisë së Shkodrës”, tha Çelmeta, duke shtuar se mesazhet në aplikacionin SKY ECC zbardhin shumë lidhje apo biseda të bandave me politikën apo drejtues apo punonjës të Policisë së Shtetit. “Jam dakord me zotin Bardhi që bandat zgjedhin drejtues në polici, por në këtë rast nuk bëhet fjalë për personin që përmend Bardhi. Bandat zgjedhin dhe heqin kë duan në polici”, theksoi Çelmeta.

“Problemi është që transkriptimi i SKY po ecën shumë ngadalë”, vijoi.

Në vijim ai sugjeroi se përpara se të zgjidhet Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, por edhe drejtuesit e Policisë në qarqe duhet të ketë një bashkëpunim shumë rigoroz me SPAK. “SPAK duhet të ketë një rol kyç në këtë proces në mënyrë që të shmangen emërimet e atyre individëve që nesër mund të dalin me probleme, përfshi këtu edhe përmes aplikacionit SKY”, tha Çelmeta.

Ai u shpreh se vërtet do të ketë një reformë të thellë në Policinë e Shtetit, vërtet do të kemi një gjeneratë të re, por a është kjo gjeneratë e re, e pastër, e paimplikuar dhe e palidhur me krimin?

Çelmeta tha se Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit e zgjedh politika, ky është një proces që ka ndodhur vazhdimisht, ndërsa ky procesi më garë është më shumë për ti hedhur hi syve dhe për të thënë se është një proces transparent.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: