TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka folur në konferencën e sotme me gazetarët për moskandidimin e Vangjush Dakos në Durrës dhe Qazim Sejdinit në Elbasan.

Ai i quajti përjgimet muhabete në një komunikim telefonik që nuk provojnë asgjë, duke e krahasuar me rastin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Sipas Ramës, moskandidimi ishte kërkesë e vetë Dakos dhe Sejdinit, pasi 12 vjet në krye të dy bashkive të mëdha janë shumë.

“Për sa i përket pyetjes tjetër, dolën përgjimet ishte shprehja për Vangjush Dakon. unë nuk më rezulton të ketë dalë ndonjë përgjim për Vangjush Dakon, mua më rezulton të kenë dalë disa përgjime në thyerje të sekretit hetimor për një grup kriminal dhe mes atyre përgjimeve ka nja dy referenca, por mes tyre dhe nja dy komunikime që nuk tregojnë asgjë për V. Dakon dhe çuditërisht përsëri mes detyrimit karshi opinionit publik për t’i dhënë çdo informacion, sepse nëse del sekreti hetimor kjo nuk është përgjegjësi e gazetarëve dhe mediat nuk mund të thonë nuk e jap sepse këtë detyrim kanë ama detyrimi është për të ndarë qartë spektaklin dhe informacionin. Më detyroni të kthehem përsëri tek përgjimet që ishin një kazan i madh llafesh mes ca horrave dhe për të cilat u kërkuar 24 orë burgosja e Saimir Tahirit. Nuk u nxor asnjë mësim nga fakti që gjithë ajo vorbull në raport me personin që u kërkua të futej në burg brenda 24 orësh rezultoi asgjë sipas prokurorisë së antimafias italiane. Një mësim duhet nxjerrë besoj ashtu sikundër besoj e ka nxjerrë mësimin jurisprudenca që nuk e konsideron provë edhe një përgjim direkt, jo më një muhabet në një komunikim telefonik. Thënë këto zëvendësimi qoftë i Dakos qoftë i Sejdinit në Elbasan jeni të lirë ta besoni apo jo është kërkesë e tyre. Prej kohësh 3 mandate, 12 vjet në krye të dy qyteteve të rëndësishme, janë shumë”, tha Rama.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb