NGA MUHARREM FEJZO

1975-sa, do të ishte viti i gjakimit të ëndrrës sime më të madhe; të realizoja një film për Ali pashë Tepelenën, me skenar të Sabri Godos, ëndërr e cila nuk pa dritë deri tani që jam nga fundi i jetës. Me Sabriun u njoha rastësisht. Duhej të bëja punën fizike për vitin 1972. Më thanë të takoj drejtorin e NTSHU-së. Zyra e tij ishte në rrugën e Pazarit të Ri. Një ndërtesë me stil italian, që ngjante më tepër si një vilë. Sabriu më priti me shumë ngrohtësi. Sytë e tij pak të perënduar dhe të skuqur, u munduan të më ndillnin qetësi. Ai buzëqeshi dhe më zgjati dorën e tij me ata gishtërinj të shkurtër me mollëza të fryra dhe me pëllëmbën të skuqur flakë (vuante nga sëmundja e mëlçisë, palma epatika.) Më ftoi të ulesha. Pasi i tregova shkakun e vizitës, buzët e tij të holla formuan një fjali qesëndisëse.

Nuk e kuptova brendinë, se mendja më punonte gjetkë. U mundua të shkruajë një pusullë. Shkrimi i tij ishte i një filloristi! Vështrimi i tij rrëshqiti nga unë te copa e letrës. E bëri shuk dhe e hodhi në kosh. U ul në makinën e shkrimit dhe i shkroi një brigadieri të fshatit Prezë. Ndërkohë, në mes të një të qeshure ironike shqiptoi: – Tani që do të shkosh ti, shpëtoi bujqësia shqiptare! Më zgjati letrën. E mora. Pa dashje e urova dhe shpreha kënaqësinë për romanin e Ali Pashës. Më kapi për krahu dhe si miq të vjetër shkuam në kafene. Më njihte nëpërmjet filmave që kisha xhiruar. Kishte një bisedë të thukët, me humor të zgjedhur. Ai shikimi pjerrtas dhe një buzëqeshje disi ironike nuk i ndahej nga fytyra. Ramë dakord që nëse Kinostudioja e pranonte, ai ishte dakord të shkruante skenarin bashkë me mua. Për punën fizike, më tha të paraqitesha në kooperativë ditën e parë dhe të fundit. …Ishte një skenar i shkruar nga Sabri Godo: Rrethim e goditje. Shkuam bashkë për 14 ditë në Karavasta të Divjakës për të korrigjuar vërejtjet e instancave. Duhej të spikaste roli i Ramiz Alisë.

Gjenerali konsulent, nuk e miratonte. “Qysh t’i dal përpara shokut Mehmet? Jo, kjo gjë nuk bëhet”. “Shkurt, – ndërhyra unë, sepse e pashë që koha po kalonte pa u ndjerë.” Kjo histori filloi në vitin 1980 dhe u la, për ngjarjet e tmerrshme politike të atyre viteve. Ishte koha e “kokëngrënieve”… “Kont Ugolini i Dantes, kishte uri dhe hante kokat e shokëve të vet!” U propozua prapë në vitin 1984, me “krasitjen” e titullit: Goditja, motërzim i të parit. Në këtë variant të skenarit ishte në qendër figura e Mehmet Shehut. – Këtë radhë po, – më siguroi Sabriu. Brenda muajit u shkrua skenari tekniko-regjisorial. U përzgjodhën aktorët. U përgatitën kostumet dhe rekuizita e vogël si dhe ajo e madhja. U bënë të gjitha parapërgatitjet.

U vunë në lëvizje Ministria e Mbrojtjes, ajo e Brendshmja, u vunë në gjendje gatishmërie gjithë repartet ushtarake, tanket, artileria e rëndë, aviacioni i viteve ‘43- ‘44. Për realizimin e filmit, që bënte fjalë për “Operacionin e Qershorit” dhe “Betejën e Qafës së Gjarprit”, shkuam bashkë me Sabriun, Et’hem Gjinushin, Delo Balilin dhe Bejto Isufin, për të parë vendet ku ishin zhvilluar ngjarjet. Histori më vete edhe ai udhëtim! Kur çdo gjë ishte gati për çak, vritet, a vetëvritet Kryeministri i Shqipërisë, Mehmet Shehu! Ngjarje e bujshme që tronditi popullin si asnjëherë tjetër. Shtjella e ngjarjeve në sipërfaqe, ishte në kundërti të plotë me heshtjen e thellësisë, por askund ajo kundërti nuk ishte aq e madhe sa në këto ditë mynxyre. Anketa kundër kryeministrit zgjatej, fryhej e veshtullohej deri aty sa u quajt “armik i rrezikshëm” në shërbim të anglo-amerikanëve dhe bashkëpunëtor i Fullcit!

1 PRILL. DITA E RRENAVE.
A thua të ishte paradigma e asaj që do të ndodhte? Bashkë me Sabriun shkuam në Karavasta për të punuar me subjektin, deri më 7 prill. Qëndruam në një barakë të madhe druri ndërtuar buzë derdhjes së kënetës në det. Pylli i dendur, melodia e zogjve gjithfarësh, deti që shtrihej përpara nesh, pelikanët që ndërtonin fole dhe fluksi i ujit që shkonte e vinte nga deti, të krijonin me të vërtetë një kënaqësi të rrallë. U ulëm mbi një spikamë ranore, gjithsekush në botën e tij. Vetëm kur dielli përflaku retë dhe po zhytej në detin e qetë, u kujtuam të shihnim dhomat ku do të flinim. Ngjitëm tri shkallët prej dhoge dhe hymë në një korridor të gjatë. Dyshemeja shpërndante ngrohtësinë e një perëndimi të nxehtë. Baraka bosh, ngjante me zhguallin e një gjinkalle të tharë në trung. Ashtu të heshtur nga lodhja, secili zuri nga një dhomë me dritare nga deti. Bukuri.

Ajo natë ishte ngarkuar me njëqind pyetje që kërkonin përgjigje nga Sabriu. Të nesërmen në mëngjes, shkuam te klubi për të ngrënë ndonjë gjë e marrë kafe. Gjatë gjithë rrugës nuk këmbyem asnjë fjalë. Përpara asaj natyre me blerim, të ndezur nga linfa që i përshkonte dhe simfonisë të zogjve që zgjoheshin përpara agut dhe fërfërimës së flladit mëngjesor që përkëdhelnin gjethnajën, kishim preferuar heshtjen. Ndërsa truri, vrundullonte nga shqetësimet që sillte ai skenar i dhënë me përdhunë. Më në fund, kur mëngjesi po ia linte vendin mesditës, Sabriu po më vështronte i buzëqeshur. – Mos e merr me frikë, – foli ai dhe ndezi një cigare.

2 korrik. – “Gazi” ushtarak gati sa nuk preku portën e hekurt të hyrjes së Kinostudios. Axhemi, portieri, një ishushtarak, mbeti i shtangur nga manovra e sertë e makinës. Përpara godinës me shtyllat e larta, “Gazi ndaloi” dhe që andej doli figura e shkurtër e gjeneralit dhe dy oficerë të tjerë. I dolën përpara autoritetet e institucionit dhe së bashku u futën në sallonin e gjerë të godinës. Mbledhja ishte me një rreth të ngushtë: drejtoria, shtabi ynë dhe Sabriu. Fytyra e gjeneralit kishte një çehre të zymtë. Vetullat iu ngushtuan në shteg të ballit. Vështroi me kujdes të pranishmit dhe ndaloi për një çast te Sabriu. U duk sikur i foli vetëm atij: – Për materialin që lexova, nuk përgjigjem. Ashtu… Jam pensionist. Për skenarin kam vërejtje. Jam pjesëmarrës i luftës. Nuk më pëlqen. Nuk plotëson kërkesat. Nuk marr përsipër asnjë përgjegjësi. Ashtu si është paraqitur lufta jonë, nuk na nderon.

Ngjarjet janë në kundërshtim me historinë. Realiteti i luftës është paraqitur së prapthi. Ata kanë sulmuar, ne jemi tërhequr. Lexoni shokun Mehmet Shehu, i cili thotë mes të tjerash se: “Situata është mjaft e rëndë.” I deleguari del i zbehtë dhe nuk kryen asnjë rol. Ndryshe e kanë paraqitur historikun shokët e Brigadës V, ndryshe e paraqet Sabri Godo. Nuk mund të bëjmë një gjë pa kokë, pa qëllim. Brigada merr urdhër të çajë rrethimin dhe kalimin në veri. Për mungesë të zotësisë së gjermanëve, të cilët nuk na rrethuan dot, ne mundëm të fitojmë. Sabriu mbante shënime. E kishte inat shkrimin e dorës, se kishte një kaligrafi prej filloristi, ndaj përdorte makinën e shkrimit. Ai ruante një buzëqeshje të lehtë, ku mund të lexohej fare mirë ironia. – Duhet të spikasin sasia numerike, armatimi, organizimi i përsosur i gjermanëve dhe fortifikimi i tyre.

Intendenca dhe spitali nuk zënë vendin që duhet. Batalioni duhet të qëndrojë edhe sikur të vdesë i tëri. Shoku Mehmet, i cili ka drejtuar luftimet në “Qafën e Gjarprit” më 6 qershor të ‘44-ës, thotë: “Gjendja është shumë e rëndë.” Fitorja qe me humbje, ashpërsi e gjak! Si përfundim: në kuadër të “Operacioni të Qershorit”, ky skenar nuk qëndron. Sabriu ra dakord për korrigjimin e vërejtjeve dhe falënderoi përfaqësuesit e ministrisë për gjithçka kishin thënë. Filmi u la pa një përgjigje të saktë.

*Pjesë nga libri “Të pathënat”

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb