Prokuroria e Shkodrës ka reaguar pas publikimit të detajeve të operacionit në këtë qytet ku u arrestuan 4 persona si të anëtarë të dyshuar të bandave kriminale. Ka qenë pikërisht në bazë të kërkesës së prokurorisë që gjykata e Shkodrës ka nxjerrë më pas urdhrat e kontrollit që çuan në arrestimin e 4 personave.

Por ajo që u vu re ishte se në deklaratën e policisë mungonin akuzat konkrete dhe veprat penale për 4 të arrestuarit.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër ka vijuar hetimet intensive për identifikimin e autorëve të krimeve të rënda që kanë ndodhur në qytetin e Shkodrës në muajt e fundit.
Çmojmë bashkëpunimin në nivel të lartë me Policinë e Shtetit për të ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër për lejimin e kontrollit të banesave dhe vendeve të tjera.
Mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm të deduktuar nga provat e administruara deri në këtë moment procedural i paraqitëm gjykatës kërkesën për të lejuar kontrollin e banesave dhe vendeve të tjera, në të cilat mund të gjendeshin prova me rëndësi për hetimin”, deklaron Prokuroria.

Vendimi i gjykatës është ekzekutuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër.

“Gjatë kontrollit janë gjetur, fiksuar dhe sekuestruar disa prova materiale, mbajtja e të cilave përbën vepër penale, për kryerjen e të cilave janë arrestuar 4 shtetas.
Duke pasur njëkohësisht mbështetjen e fortë të Prokurorisë së Përgjithshme, ritheksojmë vullnetin e palëkundur për të përmbushur detyrat në përputhshmëri me ligjin për goditjen e krimit”, thuhet më tej në reagimin e prokurorisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb