Janë zbardhur detaje te reja nga hetimet e vrasjes së 30-vjeçarit Kristian Marku alias Bardhi në Vlorë. Grupi hetimor ka arritur të zbulojë se autorët kanë qëlluar me armë zjarri të dyshuar automatik mp5, pasi në vendngjarje janë sekuestruar fishekë kalibër 9mm.

Mjeti i autorëve rezulton të jetë i vjedhur pasi i është fshirë shasia, por ende policia nuk ka zbuluar se ku është vjedhur makina. Sa i përket targave të automjetit të atentatorëve, dyshohet se iu janë vjedhur vetëm disa ditë para ngjarjes makinës private të një punonjësi policie në Vlorë. Hetimi është fokusuar në gjetjen e autorëve të vjedhjes së makinës dhe targave për të shkuar te zbulimi i ekzekutorëve të 30-vjeçarit. Hetuesit kanë dyshime se autorët mund të kenë vepruar me dy makina, ku një mjet tjetër dyshohet se i ka pritur për t’i larguar pas krimit.

Dyshohet se tre persona kanë marrë pjesë në atentat, dy në makinën e përdorur në krim dhe një tjetër i priste në automjetin tjetër për t’u larguar. Është ende e paqartë për hetuesit arsyeja se pse i riu ishte nisur drejt Vlorës, pasi sipas hetimeve të deritanishme rezulton që viktima nuk ishte një person që vizitonte Vlorën dhe se nuk kishte të afërm atje. Në Vlorë i riu ka shkuar me një makinë të cilën e kishte marrë me qira për gruan e tij, e cila e ka përdorur nga data 3 deri 13 janar. I ndjeri i kishte marrë makinën gruas ditën e ngjarjes dhe i kishte thënë asaj se do të shkonte në Vlorë që të takonte një shok dhe se do të kthehej shpejt. Policia ka dyshime se i riu mund të jetë nxjerrë në pritë.

Policia është fokusuar edhe te sekuestrimi dhe këqyrja e kamerave të sigurisë të të gjithë itinerarit të rrugës që ka ndjekur i riu, pasi dyshohet që është ndjekur dhe vëzhguar nga autorët. Sa i përket të shkuarës së Kristian Markut (Bardhit) i riu rezulton që nuk ishte në kërkim nga policia dhe se për ngjarjen e marsit 2023 ndaj Saimir Reçit, 30-vjeçari ishte shpallur i pafajshëm nga gjykata në shtator 2023 për këtë ngjarje dhe që prej asaj kohe ka qenë i lirë. Bashkëshortja ka deklaruar se 30-vjeçari bënte jetë normale dhe nuk ruhej dhe as nuk lëvizte me makinë të blinduar.

Pas atentatit ndaj tij në mjetin e Kristian Markut policia nuk u gjeti sende të kundraligjshme dhe 30-vjeçari nuk kishte armë.

I riu ishte edhe baba i një djali, i cili për një javë mbush 1 vjeç. Çifti jetonte me qira në Tiranë ku kishin blerë edhe një apartament ku prisnim të hynin për pak.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb