*Eshtë shprehur deputeti gjerman i CDU-së dhe kreu i grupit të punëmarrësve në Bundestag, Peter Weiß

Reformimi i ligjit për qëndrimin në Gjermani lejon nga 1 gushti vendosjen e sanksioneve mbi hyrjen në Gjermani të azilkërkuesve nga Ballkani që iu refuzohet kërkesa e azilit. Por a ka shanse për hyrje legale në Gjermani?

Lidhur me propozimin e fundit të socialdemokratëve për krijimin e mundësive të punësimit për njerëzit nga Ballkani Perëndimor, vijnë sinjale pozitive nga fraksioni i Unionit kristiandemokrat. “Ne duhet të shfuqizojmë për disa profesione ku ka mungesë punëtore verifikimin e prioritetit për vendin e punës”, është shprehur deputeti gjerman i CDU-së dhe kreu i grupit të punëmarrësve në Bundestag, Peter Weiß për gazetën gjermane “Rheinische Post”. “Në këtë mënyrë firmat gjermane mund të punësojnë më shumë shqiptarë apo kosovarë”, citon Deutsche Welle.

Kryetari i grupit për çështjet e punësimit në CDU ka thënë se aktualisht janë 20 profesione deficitare, por grupi synon ta çojë në 50.
“Ne duhet të njohim më shumë profesione deficitare që kanë përparësi. Në këtë mënyrë, firmat gjermane do të mund t`i punësojnë më lehtë shqiptarët ose kosovarët”, ka thënë shefi i grupit të punëmarrësve në Bundestag, Peter Weis.
Nga ana tjetër, Weis ka hedhur poshtë propozimin e SPD­së që njerëzve nga Ballkani Perëndimor t`u ndahen viza pune, nëse ata sigurojnë një kontratë pune me pagë minimale të garantuar.
“Ne nuk mund të vendosim rregulla speciale që do të vlenin vetëm për Ballkanin Perëndimor. Ato rregulla pastaj do të duhej të vlenin edhe për të gjithë refugjatët tjerë”, ka thënë Weis.
Gjermania vitet e fundit ka patur boshllëqe në shumë sektorë. Këto boshllëqe synon që t’i mbushë përmes punësimit të shtetasve nga Ballkani Perëndimor.

Deri më tani, infermieria është sektori ku ka më shumë boshllëqe.

SANKSIONET LIGJORE
Nderkohe më shumë se 90.000 azilkërkues nga Ballkani në Gjermani duhet të llogarisin tani me sanksione ligjore, si moslejimin e hyrjes në Gjermani për një afat të caktuar.

Kjo deklaratë vjen nga presidenti i Zyrës Federale për Migrimin dhe Refugjatët (BAMF), Manfred Schmidt në një intervistë të dhënë për gazetën gjermane “Die Welt” (të shtunën, 08.08). “Aktualisht kemi 94.000 kërkesa për azil nga vendet e Ballkanit në sistem”, i tha Schmidt gazetës gjermane. “Gati të gjithë ata do të marrin së bashku me njoftimin për refuzimin e kërkesës së azilit, edhe njoftimin tjetër për ndalimin e hyrjes në Gjermania dhe madje edhe ndalimin e qëndrimit. Azilkërkuesit nga Ballkani përbëjnë një ndër grupet më të mëdha të refugjatëve që hyjnë aktualisht në Gjermani, ndërkohë që “vetëm 0,1 deri në 0,2% kanë vërtet arsye për t’iu pranuar kërkesa për azil”, ka thënë kreu i BAMF-së.

“Nga 1 gushti ne kemi kompetencën të ndërhyjmë tek e drejta e qëndrimit, dhe të vendosim bllokimin e hyrjes në Gjermani dhe një ndalim qëndrimi për të të gjithë hapësirën e Shengenit, po qe se kërkesa e këtyre azilantëve për azil është qartësisht e pabazë”, thotë Manfred Schmidt. Një të huaji të dëbuar apo rikthyer në vendin e tij nuk do t’i lejohet hyrja në Gjermani për maksimalisht pesë vjet. Këto sanksione, të bazuara në reformimin e fundit të ligjit për të drejtën e qëndrimit në Gjermani, mund të prekin jo vetëm azilkërkuesit nga Shqipëria, Kosova e vende të tjera të Ballkanit, por edhe nga Gjeorgjia e Tunizia. Ndërsa të huajt që janë të integruar mirë në Gjermani dhe deri më tani kanë qenë vetëm me “Duldung” “të toleruar” për një kohë të caktuar do mund të qëndrojnë në Gjermani.

“Më këto masa ne u dërgojmë një sinjal të qartë njerëzve në vendet e origjinës”, thotë Manfred Schmidt. “Po qe se ti i hyn rrugës së kërkimit të azilit, atëherë me shumë gjasa, ti nuk ke më shans të hysh në mënyrë legale në vendin tonë.” Kreu i Zyrës Federale për Migracionin dhe Refugjatët mbrojti ndaj kritikave kërkesën e tij që azilkërkuesve me shanse të pakta për azil t’iu hiqen paratë e xhepit prej 143 eurosh. Për këtë nevojitet një ndryshim në ligjin për ndihmat që iu ofrohen azilkërkuesve, sqaron Schmidt. “Landet e federatës mundet kështu që në qendrat e pranimit të kalojnë pa hezitim nga ofrimi i parave tek ofertat materiale.” Për Manfred Schmidt shikon tek oferta e parave në dorë një ndër arsyet themelore për rritjen drastike të kërkesave për azil nga njerëzit nga Ballkani.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb