VALENTINA MADANI/ Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, njëherësh një nga figurat e njohura të Partisë Socialiste, në një opinion dy ditë më parë për gazetën “Panorama” rrëfeu ofertën që i kanë bërë nga partia “Mundësia” e Agron Shehajt për të qenë pjesë e saj.

Malaj që prej 16 vitesh ka qenë pjesë e Parlamentit si deputet dhe që ka mbajtur poste kyçe në qeverisjen socialiste si ministër i Financave dhe Ekonomisë, i është ofruar të jetë “nënkryetar” i një dege të partisë së Shehajt.

“Para disa ditësh më ra telefoni, ishte një numër i panjohur. Vazhdoj të ndiej një detyrim mirënjohës ndaj njerëzve dhe iu përgjigja pa vonesë. Zonja në anën tjetër pyeti nëse po fliste me mua. Iu identifikova menjëherë. Zonja po telefononte nga partia e zotit Shehaj dhe më kërkoi që në riorganizonim e njësisë nr. 5 në Tiranë të isha nënkryetar. Më duhet ta sqaroja zonjën se kisha shërbyer për 16 vjet si deputet i Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës në vitet 1997-2013 dhe se në vitet 1997-2005 kisha shërbyer si ministër Finance dhe ministër Ekonomie. Gjatë këtyre viteve pata mundësinë që me integritet të thellë, me dashuri të madhe dhe me profesionalizëm të spikatur, të arrij ta nxjerr vendin nga kurthi i firmave piramidale.

Shpesh, pas vitit 2013, kur nuk jam më aktiv në PS dhe politikë, janë disa parti të spektrit të majtë apo edhe të djathtë me ftojnë t’u bashkohem atyre. Ndoshta disa prej tyre shpresojnë që unë të jem i pakënaqur me PSnë dhe të hidhem nga njëra parti në tjetrën për ndonjë post deputeti apo ministror. E kanë shumë gabim, sepse për socialistët e thjeshtë dhe të pakorruptuar, që nuk kanë përfituar asgjë personalisht gjatë mandateve të qeverisë së PS-së kam një mirënjohje të pakushtëzuar dhe të përhershme”, shkruan Malaj.

Me tej, ish-ministri shkruan se: “Nuk i preferoj kërcimet nga njëra parti në tjetrën për poste deputetësh apo ministrore. Churchill deklaronte se: “Për parime unë ndërroj parti, për parti nuk ndryshoj parime”.

Janë të pakta rastet si ky i Churchill-it kur kalimi nga një parti në tjetrin bëhet për të krijuar mazhoranca të reja parlamentare. Politikani që bën këtë kalim “ylberi”, e bën, sepse me këtë kapërcim, ai bëhet lider i partisë së tij dhe vendit të tij”. Por Agron Shehaj e mohoi mundësinë e ftesës së Arben Malajt për t’u bërë pjesë e partisë së tij, gjë që solli një tjetër reagim për gazetën “Panorama” të ish- ministrit socialist.

Nuk pranon ish-ministra? Malaj: Deklaratë fashiste, nuk po trokas tek dera e partisë së Shehajt

Z. Shehaj mos mohoni ftesën dhe mos bëni deklarata neofashiste se kush lejohet dhe kush ndalohet të hyjë në partinë tuaj. Jam krenar që i kam shërbyer vendit tim në kohën më të keqe dhe që për shërbimin e shpërbërjes në kohën më të shkurtër të skemave piramidale kam marrë vlerësime maksimale nga faktori ndërkombëtar, dhe mbështetje të larte publike dhe politike nga shqiptarët.

Por deklarata jua se nuk do të pranoni asnjë ministër të majtë ju portretizon me të vjetër në mentalitet dhe më agresiv në qëndrimet publike se ish-përfaqësuesit e Ballit Kombëtare në 1997, që duke filluar nga ishkryetari i Bashkisë Shkodër, një përfaqësues i respektuar i të djathtës shqiptare ju bashkuan ndalimit të konfliktit vëlla-vrasës midis veriut dhe jugut, midis të majtëve dhe të djathtëve. Dhe për ta vërtetuar këtë kontribut ndaj vendit të tij dhe larg ndasive partiake ai udhëtoi deri në Vlorë dhe iu bashkua protestave popullore.

Edhe pse kanë kaluar 34 vite ndjej respektin e popullit të Sevasterit, bile edhe të atyre familjeve që fatkeqësisht trajtoheshin me biografi të keqe, të cilëve si para 90 dhe sot ju kam ofruar vetëm dashamirësi. Edhe unë kam të njëjtin respekt mirënjohës për njerëzit e mrekullueshëm të asaj zone ku në fillim të viteve 90, shërbeva si financier. Nuk bën keq të pyesësh njerëzit e tu në Sevaster. Ndjesë që ju nuk i mbani mend këto situata, kjo ndoshta ndodh edhe sepse “keni qenë shpesh në tren”.

Një nga problemet që ka lidershipi politik në botë dhe që kërcënon demokracinë funksionale, është se marketingu politik po bazohet me të njëjtat parime dhe mjete abuzuese dhe deformuare si në marketingun për mallra. Pra, si fushatat politike me ndihmën e jashtëzakonshme të inteligjencës artificiale duan t’ju shesin votuesve mallra/individë apo parti politike pa vlerat dhe cilësitë thelbësore. Sinqerisht besoj që z.Shehaj të mos ketë zgjedhur këtë lloj fushatë deformuese. Ai edhe për shkak të biznesit te tij mund ta ketë parë shumë herë filmin “Social dilema”, por shpresoj të mos i këtë keqpërdorur strategjitë e marketingut deformues dhe influencues me efekte negative, në biznes dhe politike.

Thelbi i këtij marketingu është deformimi i votës së lirë, është fakti që ata edhe individët/qeniet njerëzore i konvertojnë në algoritma matematikore që influencohen/deformohen lehtësisht, siç ndodhi në zgjedhjet e fundit presidenciale në Rumani.

Z.Shehaj nuk duhet të absolutizojë modelin e “call center” si fushata më produktive elektorale. Shpresoj shumë që z.Shehaj të jetë vetvetja, të ulë agresivitetin politik të kohëve të fundit. Të mos zaptojë podiumin e Kuvendit dhe të mediave, të mos absolutizojë efektet e “call center”, të njoh dhe ndalojë pasojat e fushatave deformuese të rrjeteve sociale, të rikalkulojë emocionet agresive dhe në pak raste edhe vetëkënaqësinë e tepruar. Prandaj në detyrim moral ndaj opinionit publik qartësoj se në përgjigjen e sforcuar të z. Shehaj se po gënjehet. Ftesa ishte e drejtpërdrejtë, n.q.s. duhet të pranoja të isha nën kryetar i organizatës së asaj partie në njësinë Nr 5. Kam qartësuar se kjo lloj ftese u është bërë edhe qytetarëve të tjerë. Gjitha argumentet e tjera gjenden në artikullin e gazetës “Panorama”.

Nuk e kuptoj dot përse z. Shenaj është kaq jo korrekt deri në hipokrit sa mohon punën e stafit të tij dhe bën deklarata neofashiste se asnjë ministër nuk do të jetë kurrë pjesë e partisë së tij. Përse e bënë këtë deklaratë kur unë kam qartësuar edhe në artikull se kurrë dhe për asnjë arsye nuk kaloj nga njëra parti tek tjetra?

Pra, unë i deklaroj publikisht se nuk do të kaloj tek asnjë parti tjetër, pra, unë nuk po trokas tek dera e partisë së tij, dhe ai bërtet me zë të lartë se nuk do pranojë asnjë ish- ministër në partinë e tij. Fatkeqësisht kjo sjellje përafrohet me fabulën e dhelprës dhe rrushit. I uroj z. Shehaj suksese ne ambiciet e përligjura për të ristrukturuar të djathtën shqiptare nëpërmjet një modeli të ri politike bazuar në vlerat më të mira njerëzore dhe përgjegjësitë më të madha publike dhe politike.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb