Gjatë takimit të fushatës në Korçë, kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, foli me tone të forta mbi ndryshimet që po ndodhin në vend nga drejtësia dhe theksoi se tani është momenti që qytetarët të reagojnë përmes votës së tyre kundër korrupsionit.

Shehaj e nisi fjalën e tij duke nënvizuar se në Shqipëri po ndodh një ndryshim i madh. Ai vlerësoi punën e drejtësisë, duke theksuar se për herë të parë të korruptuarit po përballen me pasojat ligjore.

“Po ndodh një ndryshim i madh në Shqipëri. Për herë të parë, të korruptuarit po shkojnë para drejtësisë. I kanë marrë si kurrë më parë. Kanë marrë njerëz të pushtetshëm, krahun e djathtë të Edi Ramës dhe e kanë çuar në burg.”

Shehaj kujtoi se për dekada shqiptarët kanë kërkuar drejtësi dhe tashmë kjo dëshirë po realizohet.

“Por tani imagjinoni, ndërkohë që drejtësia bën atë që ne kemi kërkuar në 34 vjet. Sa herë kemi thënë: Po këtu në këtë vend s’ka drejtësi! Pse nuk i arrestojnë të korruptuarit? Ja i arrestuan të korruptuarit.”

Megjithatë, ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për pengimin e ndryshimit, duke e akuzuar se ka përfshirë në listat elektorale persona të korruptuar. Kreu i Mundësia gjithashtu deklaroi se qytetarët nuk duhet të japin votën e tyre për të korruptuarit.

“Por Edi Rama çfarë ka bërë? I ka marrë dhe i ka futur në lista. Imagjinoni, prokuroria i kap, gjykatësit i kapin, i dënojnë. Kurse Edi Rama i vë në lista dhe u kërkon qytetarëve që t’i votojnë.

Nga një anë kemi drejtësinë që kap të korruptuarit, nga ana tjetër kemi qytetarë që me votën e tyre votojnë të korruptuarit.”

Duke bërë thirrje për vetëdije dhe reagim, kreu i partisë Mundësia kërkoi nga qytetarët që të mos mbeten pasivë.

“Nuk mund të presim që gjithçka ta bëjë drejtësia! Duhet të reagojmë!”

Në përfundim të fjalës së tij, Shehaj u bëri apel qytetarëve që në zgjedhjet e 11 majit të japin një përgjigje të qartë kundër korrupsionit:

“Në datën 11 maj t’u japim një përgjigje. Jemi kundër të korruptuarve! Do votojmë kundër të korruptuarve! Kundër korrupsionit! Kundër listës së Edi Ramës me të korruptuar!”

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb