SHKUP- Mandatari për formimin e qeverisë së re, Nikolla Gruevski, partia e të cilit VMRO DPMNE-ja ka fituar 51 deputetë në zgjedhjet e 11 dhjetorit, në 20 ditët në vazhdim do të bëjë përpjekje për formimin e shumicës parlamentare, por ende nuk ka informacione nëse dhe me cilën parti politike ka filluar bisedimet. Për të arritur numrat e nevojshëm prej 61 deputetëve, ai duhet të nisë bisedimet me BDI-në e Ali Ahmetit që në zgjedhje ka fituar 10 deputetë.

Por, sa do të arrijë Gruevski të bëjë shumicë parlamentare pas kushtëzimeve që do t’i bëjnë partitë shqiptare me deklaratën e përbashkët është vështirë të parashikohet edhe nga njohësit e çështjeve politike.

Ata janë të ndarë në vlerësime lidhur me këtë çështje, që mund thellojë krizën politike në vend.

“Partitë shqiptare tani më kanë paraqitur kërkesat e tyre, por ato vështirë se do të realizohen nga kushdo qoftë, madje edhe sikur gjysma e tyre të pranohen është e vështirë të realizohen. Veç kësaj, mandatari do të përballet edhe me kërkesa tjera nga bashkësia ndërkombëtare, para se gjithash për nevojën urgjente të vazhdimit të reformave, mbështetjen e Prokurorisë Speciale, por edhe çështje tjera, pa anashkaluar kontestin e emrit me Greqinë”, thotë analisti Mitko Gaxhoski.

Por, Aleksandar Panvov, njohës i çështjeve politike dhe drejtues i institutit për demokraci, beson se BDI-ja do t’i përmbahet parimit që vetë e ka imponuar, që qeveria të formohet nga partitë fituese në bllokun shqiptar dhe maqedonase, dhe së bashku me VMRO-në të bëjnë shumicën e re parlamentare. Nëse ndodhë e kundërta, Pandov thotë se kjo nuk do të ishte mirë për BDI-në.

Analistët maqedonas vlerësojnë se kërkesat e partive shqiptare janë kundër kushtetuese dhe si të tilla vetëm se mund të thellojnë edhe më shumë krizën politike në vend.

Por, ndryshe vlerëson Mersel Bilalli, ish politikan dhe profesor i sistemit politik në Universitetin Fon të Shkupit.

Ai është i bindur se qeveria e re do të formohet pa VMRO DPMNE-në dhe Nikolla Gruevskin, si shkaktarin kryesor, sipas tij, për krizën e rëndë në të cilën ndodhet Maqedonia tani dy vite e gjysmë. Pas dështimit të Gruevskit, siç shprehet Bilalli, mandati për bërjen e qeverisë do ti kaloj liderit të LSDM-së, Zoran Zaev.

Ndërsa sa i përket partive shqiptare, ato sipas tij veprojnë në bazë të udhëzimeve të faktorit ndërkombëtar i cili edhe ka barrën kryesore për zgjidhjen e krizës politike. Bilalli thotë se synimi kryesor i bashkësisë ndërkombëtare është formimi i një qeveri pa VMRO-në.

Analistët shqiptarë kërkesat e partive politike shqiptare i vlerësojnë si reale, por të vonuara. Ata thonë se këto kërkesa janë aktuale, por asnjëherë nuk janë shtruar për zgjidhje si tani me deklaratën e përbashkët.

Nga partitë politike shqiptare, lëvizja Besa si forca e dytë politike dhe Aleanca për Shqiptarët, disa herë janë deklaruar kundër një koalicioni me VMRO-në. BDI-ja edhe ajo nuk e përjashton një mundësi të tillë, madje ka deklaruar se mund të mbetet në opozitë nëse gjejnë mbështetje kërkesat e deklaratës së përbashkët. (REL)

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: