TIRANË

Mungesa apo refuzimet e dëshmitarëve të thirrur në Komisionin hetimor për koncesionet në Shëndetësi po krijon ngërç për funksionimin e tij.

Kjo gjë është evidentuar dhe në mbledhjen e sotme nga deputetët e opozitës.

Kryetarja e Komisionit, deputetja e PD-së Albana Vokshi kërkoi që disa prej tyre të sillen nga policia. Nga ana tjetër deputeti i PD-së Edmond Spaho tha se të enjten duhet të kërkohet shtyrja e afateve të komisionit pasi duhet të deponojnë kryeministri Edi Rama dhe Vilma Nushi.

Mjeku Artan Lleshi solli një raport mjekësor në Komisionin Hetimor të Shëndetësisë për Sterilizimin duke qenë i pamundur për të dëshmuar.

Vokshi: Dëshmia e Artan Lleshit është shumë e rëndësishme. Do doja që të komunikonim policinë për të bërë të mundur praninë e tij.

Unë e kam thënë dhe herë tjetër kanë filluar të avullojnë dëshmitarët. Në fund kemi drejtorin e check up Altin Thani, i cili ishte planifikuar për të premten, por për shkak se morën një kohë të gjatë dëshmitë, u njoftua të ishte i pranishëm sot. Me një gjuhë arrogante z. Thani ka sfiduar komisionin. Është e papranueshme se si administratori i Vilma Nushit gjet kurajën të refuzojë komisionin. Do sugjeroja që duke ndjekur kodin e procedurën penale të njoftohet policia për të sjellë z.Thani për të dëshmuar në komision.

Spaho: Puna e këtij komisioni është dëmtuar shumë nga përjashtimi 40 ditë i pjesës dërrmuese të anëtarëve të opozitës. Gjatë kësaj periudhe nuk është filluar ndonjë mbledhje e qenësishme komisioni. Deri më sot kemi thirrur të gjithë dëshmitarët që ka propozuar maxhoranca.

Nëse nuk thirrjen dëshmitarët që kemi kërkuar, çfarë kuptimi ka që u ngrit komisioni. Duhen adresuar këto çështje sepse nuk ka kohë. Kam vënë re në komisione të tjera që maxhoranca nuk paraqitej. Nuk mund ta them këtë gjë në këtë komision, por rrethanat janë të tilla që ne duhet të mendojmë seriozisht për punën e këtij komisionit.

Nuk mund të mbyllim këtë komision pa deponimin e kryeministrit dhe Vilma Nushit. Koncesionet janë dhënë nga qeveria. Pa dëgjuar kryeministrin dhe fituesen kryesore të koncesioneve, check-up-it ne nuk mund ta mbyllim komisionin. Ndaj unë mendoj që në seancën plenare të kërkojmë shtyrjen e komisionit.

Zhupa: Për pak ditë mund të krijohen justifikime që nga gjuri deri tek vetulla, kërkojnë të mbajnë peng komisionin, duke qenë se ka datën për t’u mbyllur më 14.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb