Kujdesi përgjatë shtatzënisë, sikurse njihet ndryshe si kujdes antenatal ose kujdes prenatal, ka të bëjë me shërbimin mjekësor të ofruar që nga konceptimi deri në lindje. Në këtë shërbim shpesh përfshihen edhe kujdesi para konceptimit (përpara ngjizjes sikurse njihet në termin më të thjeshtë për popullatën) deri në periudhën post partum (periudha e lehonisë që është deri në 6 javë pas lindjes). Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në ‘Gazeta Shqiptare’ mjeku obstetër gjinekolog, Prof. Asoc. Dr. Rustem Çelami thekson se nevojitet një përqasje multidisiplinare dhe një ndarje e roleve të këtij kujdesi, duke rritur gamën e shërbimeve që ofrohen, por edhe duke shfrytëzuar siç duhet kapacitetet e burimeve njerëzore. Ai shton se përgjatë shtatzënisë mundet që sëmundje të ndryshme të aktivizohen ose riaktiviziohen ose sëmundje të reja predispozuese të shfaqen. Ndërkohë Çelami bën me dije se vihet re që shumë spitale në rrethe nuk mbulohen me mjek obstetër gjinekolog, apo pediatër neonatolog, anestezit reanimator, kardiolog; çka bën që shumica e popullatës së grave shtatzëna në këto rrethe ose nuk ndiqen fare, ose nuk ndiqen si duhet, ose ata që kanë mundësi marrin rrugëtimin për në kryeqytet.

Çfarë është kujdesi prenatal?
Kujdesi prenatal/antenatal ose sikurse njihen në gjuhën më të thjeshtë kujdesi përgjatë shtatzënisë, kërkon një përqasje multidisiplinare dhe një ndarje të roleve të këtij kujdesi më qartësisht, duke rritur gamën e shërbimeve që ofrohen, por edhe duke shfrytëzuar siç duhet kapacitetet e burimeve njerëzore (mjekë, infermierë/mami, shërbimin e laboratorit, dietologun, psikologun/sociologun, fizioterapistin, mjekun pediatër-neonatlog, dhe mjekët e specialiteteve të tjera sipas nevojës si gjenetistët, kardiopediatër, neuropediatër, nefropediatër).

A janë të predispozuara gratë shtatzëna që të preken nga sëmundje të ndryshme?
Shtatzënia është një gjendje fiziologjike dhe nuk konsiderohet patologji (sëmundje), por nga ana tjetër gjatë shtatzënisë mundet që sëmundje të ndryshme të aktivizohen ose riaktiviziohen ose sëmundje të reja predispozuese të shfaqen, dhe në këtë kontekst kërkon një vlerësim të hershëm të gjendjes shëndetësore maternale në mënyrë që të ofrohet një kujdes sa më cilësor.

Si paraqitet kujdesi gjatë shtatzënisë në vendin tonë?

Kujdesi përgjatë shtatzënisë në vendin tonë, për fat të keq, në ditët e sotme është përqendruar, në shumicën dërrmuese, vetëm te kujdesi mjekësor që jep mjeku obstetër gjinekolog, duke mos i shfrytëzuar në mënyrë adekuate personelin mjekësor dhe jo mjekësor që duhet të jenë pjesë integrale e këtij shërbimi. Për shembull, roli i infermierit/mamisë nuk është në nivelet e duhura, kjo shpesh edhe si e metë e ne mjekëve duke dashur që të marrim tërë atributet e këtij kujdesi për vete. Në fakt, në vendet e zhvilluara, si vendet perëndimore, vendet nordike apo Anglia personeli mjekësor infermieri/ mamia ka një rol shumë më të madh në kujdesin prenatal/antenatal (të nënës dhe fëmijës) që me këshillimet, edukimin e pacientëve, dhe deri te ofrimi i telekonsultave periodike në mënyrë që të ofrohet informacion, kujdes dhe shërbim shëndetësor me standarde të larta, duke bërë një planifikim dhe shfrytëzim optimal profesional të infrastrukturës dhe personelit mjekësor.

Po në rrethe si paraqitet situata? A ka mjekë obstetër gjinekologë për të mbuluar nevojat e pacienteve?
Një problematikë aktuale, vihet re sot me mbulimin me personel të specializuar për kujdesin e nënës dhe fëmijës, ku shumë spitale në rrethe nuk mbulohen me mjek obstetër gjinekolog, apo pediatër neonatolog, anestezist reanimator, kardiolog, etj., dhe bën që shumica e popullatës së grave shtatzëna në këto rrethe ose nuk ndiqen fare, ose nuk ndiqen si duhet, ose ata që kanë mundësi marrin rrugëtimin për në kryeqytet, që është një kosto, kohë apo edhe përdorimi i familjarëve, ndërkohe që duhet të merrej shërbimi pranë vendbanimit. Nga ana tjetër ky fluks i ardhur nga rrethet krijon një ngarkesë edhe në spitalet e kryeqytetit.

Të plotë e lexoni në Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb