TIRANE

Mungesa e avokatëve si të zgjedhur ashtu dhe të caktuar kryesisht, u bë shkak që gjykata për Krime të Rënda të dështonte në përpjekjen e radhës, për të çelur procesin gjyqësor ndaj Emiljano Shullazit dhe katër të pandehurit e tjerë, të dënuar nga shkalla e parë për grup kriminal, gjobëvënie e shkatërrim prone.

Në kushtet kur të pandehurit mbeteshin pa mbrojtje, gjykata firmosi ta shtyjë procesin për një datë tjetër.

Në seancën që zgjati vetëm pak minuta, aq sa mjafton për të bërë apelin e palëve, nuk munguan as polemikat e debatet mes trupës gjykuese dhe të pandehurve.

Gilmando Dani i konsideruar si “krahu i djathtë” i Shullazit kërkoi largimin nga cështja të gjyqtarit Arben Vrioni, i deleguar së fundmi nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, pasi trupa mbeti me vetëm dy anëtarë që pas përjashtimit të Saida Dollanit.

Ai i kujtoi Vrionit se është në konflikt interesi me të, pasi ka marrë pjesë në shqyrtimin e cështjes së ish-Vollgës, ku palë në proces ka qenë dhe Ylvi Beqja, biznesmeni që mban statusin e të penduarit në çështjen Shullazi.

“Mos kujto se lahesh me ne, se je shumë pis, këtë të fundit e them në thonjëza. E di mire që kë qenë në cështjen e Vollgës dhe s’mund të vazhdosh këtu”, i tha Dani, gjyqtarit Vrioni.

Ndodhur përpara një situate të tillë, kryesuesja Boksi, i kujtoi të pandehurit se mund të bënte kërkesë për përjashtim të gjyqtarit sipas ligjit dhe njëherazi relatoi se seanca e radhës do të zhvillohet me datë 26 korrik.

Apeli për Krime të Rënda e ka marrë në duar cështjen Shullazi që prej muajit janar dhe pavarësisht se kanë kaluar 7 muaj, ende nuk ka nisur shqyrtimi gjyqësor. Përgjatë këtyre muajve, janë larguar një numër i madh gjyqtarësh, disa prej të cilave janë rrëzuar nga vetting, të tjerë janë dorëhequr, si dhe ka patur raste që janë pranuar kërkesat e të pandehurve për përjashtim. Për të zgjidhur ngërcet e krijuara herë pas here në cështjen e shumëpërfolur, Këshilli i Lartë gjyqësor ka firmosur delegimet e disa gjyqtarëve, të cilët janë kundërshtuar nga të pandehurit. Fakti që procesi është zvarritur prej një kohe të gjatë, të gjitha mundësitë janë që situata të paraqitet e njejte edhe në vjeshtë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb