Edhe pse sot është dita e parë e vitit të ri arsimor, gjendja në shumë shkolla të vendit vijon të jetë problematike, si pasojë e amortizimit, ku në shumë raste mungojnë edhe dyer e dritare. Nxënësit e këtyre shkollave do të ulen në banka për të filluar vitin e ri shkollor, në ambiente ku kushtet nuk janë aspak të përshtatshme për zhvillimin e mësimit.

Fushë-Krujë
Në ditën e parë të vitit të ri shkollor, ende shumë shkolla paraqesin probleme e mangësi, pavarësisht se duhej të ishin gati për pritjen e nxënësve të arsimit parauniversitar. Një nga shkollat që ndodhet në gjendje skandaloze, është “Bakushe Visha”, në Fushë-Krujë e cila frekuentohet nga një numër i madh nxënësish të arsimit 9-vjecar.

Gjatë një vëzhgimi të thjeshtë vihet re mungesa e investimeve që te xhamat e thyer, të zëvendësuar me plastmasë, muret me lagështi, apo edhe mbetjet urbane që qëndrojnë aty prej kohësh, në gjendje dekompozimi. Një vit më parë kjo godinë u përdor për frekuentimin e mësimit nga nxënësit e gjimnazit, por pas ndërtimit të një tjetër shkolle për këta të fundit, u vendos që këtu të ndiqnin mësimin nxënësit e sistemit 9-vjeçar.

Berat
15 shkolla 9-vjeçare në qarkun e Beratit vijojnë mësimin ende në godina të amortizuara, kryesisht në zonat rurale. Shifra bëhet e ditur pas kontrolleve të bëra nga Inspektorati Sanitar në Drejtorinë e Shëndetit Publik. Një prej shkollave të shkatërruara është edhe ajo e fshatit Remanicë, ku mungojnë edhe kushtet më minimale, përfshirë këtu dyert e dritaret dhe ku lagështira është prezente kudo.

Po kështu, edhe në disa fshatra të rrethit të Skraparit situata e godinave të shkatërruara të shkollave është prezente në disa shkolla 9-vjeçare në zonat rurale. 19 500 nxënës në qarkun e Beratit pritet të ndjekin mësimin këtë vit të ri shkollor, ku 1510 fëmijë në të gjithë qarkun janë regjistruar në klasën e parë.

Kukes
Një problematikë ndryshe shfaqet në Kukës, ku një banor i njësisë administrativ Zapod tregon se prej 1 viti nuk është paguar për punën që ka bërë për lyerjen e godinës së shkollës në fshatin Orcikël. Luan Krasniqi, i cili jeton bashkë me 5 anëtarë të familjes me aftësi të kufizuara, deklaron se edhe pse sot nis viti i ri shkollor, ai ende nuk është paguar për punën e kryer një vit më parë, edhe pse ka trokitur në dyert e institucioneve përgjegjëse.

Drejtori i shërbimeve publike në bashkinë e Kukësit deklaron se ka disa persona me një problematikë të tillë, që nuk janë paguar për punën e kryer në shkolla që një vit më parë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: