Pas fitores të rëndësishme në Korçë, Laçi përballet këtë fundjavë me një tjetër rival direkt të pjesës së poshtme të tabelës së renditjes, Teutën. Fitoret në të tilla ndeshje vlejnë dyfish dhe në kampin kurbinas nuk duan ta humbin këtë shans.
Trajneri Françesko Moriero nuk do të ketë të gatshëm mesfushorin Stiven Bibo, i cili ka plotësuar numrin 4 të kartonëve të verdhë në Korçë. Në transfertën me Skënderbeun ra në sy mungesa e Mjakit në formacioni.
Lojtari i linjës së djathtë ka pasur një dëmtim dhe qëndroi në stol. Stafi teknik shpreson ta ketë në dispozicion këtë futbollist për sfidën me durrsakët. Kurbinasit po kalojnë një moment të mirë, me 4 ndeshje radhazi pa humbje.
Ata kanë mundur Skënderbeun dhe Elbasanin në transfertë, ndërkohë që kanë regjistruar edhe dy barazime me Partizanin në fushën e tyre, në kampionat dhe Kupë. Kujtojmë që ndeshjen e parë në Laç mes ekipit vendës dhe Teutës e fitonin durrsakët, me një gol të Beqjas. Laçianët kanë një mundësi të mirë për të vazhduar serinë e rezultateve pozitive dhe për të konsoliduar pozitat e tyre në tabelën e klasifikimit.