SHBA

Në Shtetet e Bashkuara vazhdon beteja politike për çështjen e financimit të një muri në kufirin me Meksikën, që është bërë shkak për një mbyllje të pjesshme të qeverisë federale.

Mbyllja e një të katërtës së agjencive qeveritare që filloi të premten në mesnatë ende nuk po gjen zgjidhje edhe pse të dyja palët, demokratët dhe republikanët, duket se i kanë paraqitur oferta njëra-tjetrës.

Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë paralajmëroi se mbyllja mund të vazhdojë edhe në janar.

Shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Mick Mulvaney, i cili është gjithashtu drejtor i buxhetit, tha se ishte në pritje për të dëgjuar nga kreu i demokratëve të senatit Chuck Schumer për një kundërofertë që Shtëpia e Bardhë paraqiti gjatë fundjavës.

Zoti Mulvaney tha se oferta ishte midis kërkesës së zotit Trump për 5,7 miliardë dollarë për ndërtimin e murit dhe 1,3 miliardëve dollarëve që kanë ofruar demokratët për këtë qëllim.

Zyra e senatorit Schumer tha se palët mbeten “shumë larg njëra-tjetrës”, shkruan Zëri i Amerikës.

Mbyllja e agjencive qeveritare ka prekur qindra mijëra punonjës federalë në të gjithë vendin dhe pritet të zgjasë të paktën deri të enjten, kur Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati të mblidhen përsëri.

Meqenëse e hëna dhe e marta janë festa, e mërkura është dita e parë që publiku mund të fillojë të ndjejë efektet e mbylljes, me mungesën e shërbimeve qeveritare, thanë zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: