TIRANË- Kryeredaktori i “Gazeta Shqiptare”, Erl Murati i ftuar në studion e lajmeve në News 24, ka komentuar vizitën e Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, i cili pritet të vijë nesër në Tiranë.

Murati bëri me dije se kjo e tij nuk është një vizitë rutinore, por se ai vjen për të përcjellë disa mesazhe politike. Sipas tij, Kerry do konfirmojë rreshtimin e Shqipërisë në boshtin antiterrorizëm, do marrë premtime për luftimin e krimit dhe korrupsionit si dhe premtimin për të strehuar deri në 1 mijë muxhahedinë.

“Unë besoj se Sekretari Kerry do japë disa mesazhe të përsëritura. Do të konfirmojë rreshtimin e Shqipërisë në koalicionin antiterrorizëm. Vizita e Kerryt do të konfirmojë edhe rolin e liderit të Shqipërisë në Ballkan përsa i përket luftës ndaj terrorizmit. Ai do japë mesazhin që të luftohet krimi dhe terrorizmi që të mos cenohen kufijtë. Një pikë tjetër që do diskutohet është angazhimi që ka marrë Shqipëria që në 2012 për të mirëpritur muxhahedinët e popullit iranian që kanë ardhur në mënyrë permanente në vendin tonë, kujtoj se 22 të tillë erdhën pak ditë më parë. Ka zëra që Rama i ka premtuar se mund të strehojë më shumë se 1 mijë muxhahedinë, këtë e ka kërkuar edhe zv. Sekretarja Viktoria Nuland. Kjo është një vizitë jashtë rutine, jam i bindur se qeveria dhe opozita nuk do dalin kundër kërkesës së SHBA për mikpritjen e muxhahedinëve”,- tha ai.

Më tej Murati shtoi se një pikë tjetër e rëdësishme e cila do të diskutohet është edhe Reforma në Drejtësi. Ai shtoi se Kerry do flasë me gjuhë të përgjithshme se mesazhet e tij do jenë të përgjithshme dhe se nuk duhet të presim se do flasë për emra konkretë ashtu siç bën ambasadori i SHBA-ve Donald Lu.

“Reforma në drejtësi është një kërkesë e vazhdueshme e amerikanëve edhe Viktoria Nuland ka insistuar. Nuk dua të them që do mbështesin njërin apo draftin tjetër. Mesazhet do jenë të përgjithshme, mos prisni të flasë me gjuhën e Donald Lu, apo të flasë me emra apo të merret me intrigat e politikës, por do jetë i qartë dhe do thotë se integrimi euroatlantik i Shqipërisë është edhe në interes të SHBA. Ai vjen në Shqipëri, por mbron interesat amerikane”,- tha Murati.

Murati e cilësoi diçka të pazakontë pritjen e Kerryt nga Presidenti i Republikës në aeroport, por shtoi se rëndësia qëndron tek mesazhet që ai do japë dhe tek aftësia e politikës shqiptare për t’i përthithur e vënë në zbatim.

“Pritja nga Presidenti në aeroport është jo e zakontë, kemi të bëjmë me një tjetër detaj të pazakontë. Nuk ndodh shpesh që ta presë Presidenti, por janë të dyja autoritete të larta dhe mund të them se këto mbeten detaje protokollare. Në fund të fundit rëndësi ka mesazhi. Ai do e takojë, do kenë mesazhe politike për të shkëmbyer. Të rëndësishme janë mesazhet që ne duhet ti kuptojmë dhe ti zbatojmë. Nëse këto mesazhe nuk zbatohen do të thonim që kemi të bëjmë me një vizitë të dështuar”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: