Erl Murati, Drejtor Informacioni në News24 duke folur në emisionin ‘Log.” të gazetarit Endri Xhafo, tha se diktatori Enver Hoxha premtoi përmbysjen e klasave, çka bëri që njerëzit të gjenin veten te kjo gjë.

Murati tha se sot ne flasim se jemi një nga popujt më të varfër të Europës dhe mendoj se kështu kemi qenë edhe para 90 apo 100 vjetësh.  “Besoj se për këtë arsye idetë bolshevike kanë gjetur një lloj ngjitje te shtresat e shoqërisë, sepse është premtuar një përmbysje, pra të heqim atë beun, again, pashain, dhe kjo iu thuhej shtresave të varfra. Patjetër kjo ka lidhje me sfondin kulturor dhe social që ka qenë shoqëria shqiptare në atë kohë. Nuk besoj se ata kanë lexuar ideologjinë, thjesht iu premtua kjo përmbysja”, tha Murati.

Ndërsa politologu, Ermal Hasimja tha se pasioni më i madh në historinë e njeriut është ai i barazisë. “Barazia si xhelozi sociale, idea që mos ta shoh tjetrin më lart se vetja”, tha Hasimja. Ai tha se elementi i dytë është se lëvizja komuniste në Shqipëri ishte shumë e përçarë, ishte injorante në pjesën e saj më të madhe, hiq disa komponentë, që e kishin marrë ideologjinë në disa mbledhje celulash, por nuk lexonin vetë.

Hasimja tha se  edhe ata që ishin të lexuar i zhduku Enver Hoxha vetë, i vrau. “Partia Komuniste shqiptare është ngjizur, ndërtuar, strukturuar nga  Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha. Ato nuk kanë qenë aty si vëzhgues, apo si të dërguar të rastësishëm, ata ishin aty për të krijuar Partinë Komuniste Shqiptare, e cila do të shërbente si aneks i Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe më tej si aneks i Komiternit. Dhe komunistët shqiptarë i kanë zbatuar porositë e komunistëve jugosllavë dhe më pas komiternit në mënyrë perfektë”, tha Hasimja.

Ai tha se referuar dokumenteve britanike, komunistët shqiptarë nuk e kishin mendjen të luftonin gjermanin, por të hiqnin qafe kundërshtarët, pra të bënin luftë civile. “Kjo është ankesa e vazhdueshme që në atë kohë kishin britanikët, nuk po luftojnë gjermanët, madje janë dashur përpjekje të jashtëzakonshme nga britanikët që komunistët shqiptarë të ndërmerrnin disa aksione”, tha Hasimja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: