PRISHTINE- “Kosova dhe Shqipëria në vitin 2016 inaugurojnë autostradën energjetike, hekurudha që do i lidhë është projekt i të ardhmes”. Kështu deklaroi sot kryeministri kosovar, Isa Mustafa, në një konferencë shtypi në Prishtinë, i pyetur nga ATSH, ku ka folur edhe për bashkëpunimet në fushën e energjetikës e të tjera.

“Rrjeti energjetik mendojmë se vitin e ardhshëm duhet të aktivizohet. Sivjet presim që të kryhen të gjitha punimet në pjesën tonë, edhe në pjesën e Shqipërisë kryhet vitin e ardhshëm dhe do e inaugurojmë”, tha kryeministri kosovar Mustafa.

Kreu i qeverisë së Kosovës gjatë konferencës për shtyp tha se, është duke u punuar që të sigurohet edhe tregu i përbashkët i energjisë elektrike, që të bëhet këmbimi i saj.

“Jemi shumë afër me Shqipërinë që të zhvillojnë një lloj tregu të përbashkët, për arsye të kapaciteteve të transmisionit, të cilat po i ndërtojmë, sidomos të linjës interkonektive 400 kV, ku punimet gati përfundojnë këtë vit, ndërsa presim që në vitin 2016 të përfundojë tërësisht dhe të aktivizohet kjo linjë dhe të krijohen kushte të veçanta që Kosova e Shqipëria të kenë këmbim të energjisë elektrike në sezone të ndryshme kur mund të ketë mungesë ose mund të ketë tepricë të energjisë elektrike”.

“Krahas kësaj, ne do të shohim qe të bashkëpunojmë me Shqipërinë edhe në aspektin e gjenerimit të energjisë elektrike dhe do të zhvillojmë biseda në të ardhmen edhe për këtë”, theksoi Mustafa.

“Po punojmë po ashtu edhe në planin e zhvillimit të energjisë së ripërteritshme në Kosovë, orientimet tona janë që deri në vitin 2020 të arrijmë 25 për qind të energjisë nga burimet e ripërteritshme dhe të përplotësojmë kriteret e Bashkimit Evropian. Këtu llogarisim edhe hidrocentralin e Zhurit, e po ashtu do të shohim edhe mundësinë e kombinimit me Shqipërinë”, tha kreu i qeverisë kosovare.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: