KOSOVE-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka theksuar se zhvillimi ekonomik i vendit meriton kujdes më të veçantë.
I ftuar në emisionin “Debat” në RTK ka thënë se bujqësia do të jetë fokus i kësaj qeverisje , sikurse ka qenë edhe gjatë fushatës zgjedhore.
Mustafa më pas ka folur edhe rreth rritjes së pagave të shërbyesve civilë, duke theksuar se mos rritja apo rritja e pagave është bërë më shumë çështje mediatike, dhe se askush nuk është kundër rritjes.
“Gjithsesi që do të merret parasysh rritja e pagave, rritje do te ketër në suaza të kapacitetit buxhetor. Askush nuk është kundër rritjes dhe mosrealizimit të premtimeve nga e kaluara. Në qoftë se shërbyesit civilë do të punojnë të rritet ekonomia dhe buxheti atëherë do të ketë rritje edhe prej 25, 30 %”, ka theksuar Mustafa.
Ai më pas ka theksuar se me 15 janar të vitit 2015 do të del edhe plani qeverisës, ku në fokus do të jetë shkurtimi i disa shpenzime të luksit në qeveri.
“Do të shkurtojmë disa shpenzime në buxhet e kjo do të bëhet mes leximit të parë dhe të dytë. Shpenzime për blerje të makinave, për të ulur salltanetin në qeveri”, ka thënë Mustafa.
Kryeministri Isa Mustafa tha se migrimi i qytetarëve të Kosovës nuk është diçka e re pasi kjo ka ndodhur edhe më parë. Tha se nuk është vetëm papunësia, arsye sepse tha se nga Kosova po ikin edhe ata që e kanë një punë.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, thotë se ashpërsimi i gjendjes së emigrimit ilegal nga Kosova drejt vendeve të BE-së është një proces që s’ka filluar tash, por që tash është fokusuar më shumë kohëve të fundit.
Mustafa ka thënë se LDK do ta respektojë marrëveshjen dhe do ta votojë për president të vendit në vitin 2016, liderin e PDK-së Hashim Thaçi
“Çdo gjë që kemi nënshkruar shumë qartë, do ta respektojmë. Ne do ta votojmë për president kandidatin e PDK-së, zotin Thaçi. Është detyrim që e kemi marrë si parti e koalicionit. Duhet të mësohemi që të respektojmë marrëveshjet”.- tha Mustafa.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: