KOSOVE– Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka konfirmuar në një intervistë për mediat në Kosovë se faktori ndërkombëtar nuk do të lejojë ndryshime në projektligjin për Gjykatën Speciale.

“Na është thënë që këtë duhet ta dërgojmë shpejt, është marrë përgjigja definitive se ata e konsiderojnë si tekst të përfunduar atë që ne e kemi marrë me 29 maj”, ka sqaruar Mustafa.

Për Gjykatën Speciale, që pritet të votohet javën e ardhshme pala kosovare ka zhvilluar një proces të gjatë diskutimi, veçanërisht për ligjin që do ta themelojë atë, shkruan “koha.net”.

Janë të paktën tri çështje në të cilën qeveria e Kosovës ka këmbëngulur që të ndryshohen deri në momentet e fundit, e që siç duket BE-ja nuk do t’i marrë parasysh. Burime të afërta me procesin thonë se kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, akoma këmbëngulin që në proceset gjyqësore të vlejnë vetëm ligjet e Kosovës, të përcaktohet afati kohor për hapjen e arkivës dhe materialeve të tjera, ku hyn edhe çështja e dëshmitarëve, për të cilën BE këmbëngul që Kosova të mos mund të ketë qasje, raporton Tch.

Në të tria këto çështje projektligji për Gjykatën speciale i propozuar nga bashkimi europian e parasheh krejtësisht të kundërtën. Sa i përket ligjeve sipas të cilave duhet të bëhet gjykimi, projektligji thotë se dhomat e specializuar zbatojnë të drejtën zakonore ndërkombëtare dhe ligjin penal material të zbatueshëm në Kosovë përderisa ai është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare që ka qenë i zbatueshëm në kohën që janë kryer krimet.

Ndërsa në kapitullin për statusin privilegjet dhe imunitetet e dhomave të specializuara në Kosovë, thuhet qartë se “objektet prona, fonde, pasuria, arkivat dhe të dhënat e dhomave të specializuara, zyrës së regjistrimit dhe prokurorisë së specializuar, kudo që janë të vendosura dhe nga kushdo që mbahen, janë të paprekshme dhe ka imunitet nga bastisja, sekuestrimi, marrja, konfiskimi, shpronësimi, qasja publike ose nga çdo formë tjetër e ndërhyrjes, qoftë me veprim ekzekutiv, administrativ, gjyqësor apo legjislativ”.

Specifikohet se arkivat janë pronë të dhomave të specializuara dhe mirëmbahen në një depo të caktuar jashtë Kosovës.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb