KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se Kosova nuk e meriton të mbetet e ngujuar dhe se me fatin e saj dhe popullit të saj nuk duhet të eksperimentojnë. “Askush nuk mund të merr si pretekst ikjen e qytetarëve tanë, për të argumentuar prolongimin e liberalizimit të vizave”, ka shkruar Mustafa.
Nëpërmjet një statusi në faqen e tij zyrtare të Facebook, ai ka kërkuar përkrahjen e të gjithëve në luftimin e korrupsionit dhe monopolin e kompanive publike dhe private në kurriz të bizneseve të vogla.

“Zhvillimi ekonomik është një prioritet të cilin duhet ta arrijmë. Kemi shumë punë për të bërë, na nevojitet përkrahje nga të gjithë. Duhet ta luftojmë korrupsionin, monopolin e disa kompanive publike dhe private dhe të krijojmë hapësirë të barabartë për çdo biznes. Nuk mund të lejojmë që të ngulfaten bizneset e vogla. Atyre do tu hapim mundësi dhe do të krijojmë kushte të barabarta për konkurrencë, nga licencat, doganat, kontrolli i cilësisë, regjimi i çmimeve, sistemi i prokurimit”, ka shkruar Mustafa.

Sipas tij, vijimi i regjimit të vizave, e kufizon Kosovën për të konkurruar me ekomitë e vendeve evropiane. “Krahas kësaj do ta bëjmë të qartë se ngujimi ynë me regjim të vizave na bënë shumë të kufizuar të kontaktojmë dhe të konkurrojmë me ekonomitë e vendeve evropiane. Në këtë situatë ne bëhemi konsumatorë të produkteve të të gjithëve, por produktet tona dhe puna jonë do të mbesin çështje vetëm e ‘pashallëkut tonë’, prandaj edhe ato duhet të marrin vizën evropiane dhe të konsumohen edhe nga të tjerët. Qytetarët e Kosovës janë orientuar qartë për lidhje me civilizimin evropian dhe me vendet perëndimore. Kjo derë duhet sa më shpejtë të na hapet, sepse është rrezik që njerëzit, disa për interesa të tyre e të tjerët, nga humbja e shpresës po ia mësyjnë nganjëherë edhe lindjes”, shkruan ai.

“Ne do ta ndërtojmë fatin tonë me përgjegjësinë, nuk do të eksperimentojmë me të. Por po ashtu, nuk duhet që me fatin tonë të eksperimentojnë as të tjerët, duke na vënë kushte çdo ditë, sepse nuk meritojmë që ne të mbesim popull i ngujuar në Evropë. Askush nuk mund të merr si pretekst ikjen e qytetarëve tanë, për të argumentuar prolongimin e liberalizimit të vizave. Kjo lëvizje jonë është e panatyrshme, por nuk është çështje e panjohur se drejt vendeve perëndimore lëvizin çdo vit edhe qytetarët e vendeve të Shengen-it dhe nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian”, përfundon Mustafa postimin e tij në Facebook.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: