TIRANE- Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa deklaroi se marrëveshjet e firmosura në Tiranë janë të një rëndësie të veçantë, pasi sipas tij, “po fillojmë të zgjidhim shumë nga problemet që kanë penguar qytetarët e bizneset tona”.

Ai kërkoi që Shqipëria e Kosova, kështu siç e kanë nisur të vijojnë rrugëtimin e tyre edhe drejt Brukselit. “Bashkërisht ti kryejmë punët tona edhe në Bruksel si qëllim i dy popujve”.

Me zhvillimin e shtetit, luftohet edhe korrupsioni dhe krimi i organizuar, tha Mustafa duke iu përgjigjur interesimit të mediave.

“Cështja e korrupsionit dhe krimit nuk mund të zgjidhet vetëm me masa represive, duhet të qasemi përmes zhvillimit ekonomik. Kur zhvillojmë ekonomike dhe krijojmë vende pune ne drejtpërdrejt luftojmë edhe krimin e organizuar”, shtoi ai.

Ndërsa në lidhje me marrëdhëniet me Serbinë, kryeministri deklaroi se qeveria e Kosovës ka bërë përpjekjet maksimale për bashkëpunim. Sipas tij nëse serbët kanë vendosur të mos jenë pjesë e Kuvendit, kjo është punë që ju takon atyre ta vendosin.
“Ne kemi bërë përpjekje maksimale që të krijojmë kushtet që të ushtrojmë sovranitetin e shtetit në të gjithë territorin, të bëjmë integrimin e komuniteteve. Mendoj që është arritur shumë, për faktin se në këtë përbërje të kemi sot serbët në Kuvend. Këtë proces nuk e konsiderojmë të lehtë, ata janë deputetë kanë grup parlamentar 9 plus 1. Kemi pasur një çështje që ka lindur nga një deklaratë e tyre dhe ata e kanë vendosur vetë të largohen nga Kuvendi. Unë shpresoj që serbët do kthehen në Kuvend, problemet e tyre i zgjidhin duke qenë brenda në Kuvend”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: