TIRANË

Analisti dhe ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj ka qenë në News24 për të komentuar zhvillimet e ditës por dhe ato që pritet të ndodhin në vijim. Duke folur për protestën e opozitës së bashkuar më 16 shkurt, Mustafaj tha se ka një valë pakënaqësie dhe se lideri i PD-së po pritet mirë në rrethe por se nuk është i sigurt se çfarë do të sjellë kjo protestë. Ai e ilustron këtë me faktin se opozita nuk do të marrë pushtetin me dhunë, ndaj e sheh mënyrën e vetme të suksesit të saj tek vazhdimësia.

“Nuk kam qenë në këto protestat e vogla në rrethe por me çfarë duket Basha po pritet mirë që do të thotë se ka një valë pakëanqësie që është e gatshme të mishërohet në protestën e 16 shkurtit. Ne kemi një situatë pakqënaqësie të përgjithshme. Por kemi një eksperiencë jo të mirë nga ana e protestave të PD. Kemi një deklaratë të qartë të Bashës publike se nuk e marr pushtetin me forcë.
Kemi edhe një sjellje në vazhdimësi të kryeministrit i cili shpërfill protestat për sa kohë janë paqësore. Kjo deklaratë e Bashës që i drejtohet kryeministrit dhe opinionit publik për mua është e paqartë se edhe një kryeministër që është i verbër dhe i shurdhër dhe një opozitë që do manifestojë pakënaqësinë e saj nuk besoj se do japin rezultatin që synohet, rrëzimin e kësaj qeverie, krijimin e një qeverie kalimtare që do përgatisë vendin për zgjedhjet”, tha Mustafaj.

Ai tha më tej se jemi në një situatë ku maxhoranca nuk ka vesh për të dëgjuar. “Nga ana tjetër unë dhe shpresoj gjithë klasa politike e opozitës nuk është për grusht shteti. Mandatin nuk e përfaqëosn ndërtesa, e përfaqëson personi që është mandatuar. Protestat në Shqipëri, janë protesta që shuhen si flaka e kashtës. Unë nuk jam as ithtar i grushtit të shtetit, e as i vrasjeve. E vetmja mënyrë është që kjo protestë të ketë vazhdimësi.
Unë jam i bindur se ka një pakënaqësi të përgjithshme. Nga sondazhet e disa agjencive të huaja rezulton se ka pakënaqësi të madhe. Ka një ulje në kuotë të madhe të besimit te qeveria por nuk ka një rritje të kuotës së besimit tek opozita. Pakënaqësia konstatohet përditë por nuk është një fakt se kjo pakënaqësi do të manifestohet më 16 shkurt në rrugë”, deklaroi Mustafaj.

Për sa i përket faktit se është thënë se nuk do të ketë fjalim në këtë protestë, analisti i njohur e shpjegoi si përpjekje për të tërhequr jo vetëm mbështetës të partive opozitare.
“Kjo do të thotë që opozita do të mbledhë dhe ata të pakënaqur që nuk janë mbështetës të saj. Nuk jam i bindur se ata që janë të rreshtuar në protestë, ata do duan mesazhe, do duan fjalime. Ky lloj depolitizimi i kësaj proteste nuk jam i bindur se do ketë efektin më të mirë të mundshëm”, tha ai.

Mustafaj foli edhe për idenë e korrigjimit të kufijve Kosovë-Serbi dhe elaborimin e saj.
“Nuk po bëhen më të qarta zhvillimet për disa arsye. E para vetë Thaçi nuk mendoj se ka një koncept të qartë. Ai e ka dëgjuar dhe e përsërit si nocion por jo si realitet. Nuk dimë që ka një ekip që punon për këtë. Arritje tek korrigjimi i kufijve është një proces i gjatë ekipesh. Duhet që Kosova, përfaqësuesit e saj legjitimë të jenë në krye të procesit përtej konsulencës së huaj që mund të marrin.
Thaçi nga ana kushtetuese, është njeriu me ndikimin më të vogël. Më shumë është opinionist. Qëndrimi i qeverisë së Kosovës për tarifat është politik. Unë e mbështes. Kosova deri tani vetëm ka lëshuar në proceset e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve”, tha Mustafaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb