TIRANE– Një nga zërat e fuqishëm të Partisë Demokratike, shkrimtari dhe diplomati Besnik Mustafaj ka analizuar nga studio e “News24” situatën politike në vend dhe protestën e opozitës. Në rubrikën “Opinion”, Mustafaj tha se zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës lënë të papërfaqësuar gjysmën e shqiptarëve, sipas tij. Ai shton se mungesa e opozitës në Parlament shkakton krizë politike.

“Gjatë 29 ditëve të kësaj protestë ne nuk kemi asnjë hap afrimi për të mundësuar një kompromis midis palëve. Pas një muaji protestës mund të shtohet vetëm shqetësimi, pasi shohim një qeveri absolutisht të painteresuar për kërkesat e opozitës. Nëse Rama i bën zgjedhjet pa opozitën, atëherë realisht vendi nuk ka zgjedhje. Nëse Basha nuk futet në zgjedhje dhe vendi shkon në zgjedhje të reja pa pjesëmarrjen e opozitës, atëherë lihet gjysma e popullsisë e papërfaqësuar në Parlament. Mungesa e opozitës në Parlament shkakton krizë politike”, tha Mustafaj.

Duke komentuar situatën me kultivimin dhe trafikimin e kanabisit, Mustafaj tha se ky është një fenomen shqetësues jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e rajonit.

“Në 2016 kultivimi i drogës në Shqipëri dhe trafikimi i lëndëve narkotike, gjë që po vazhdon, ka njohur një rritje dramatike. Frika kryesore e opozitës është se paratë ë drogës mund të futen në fushatë dhe të deformojnë rezultatin, duke blerë votën. Gjatë 2014 dhe 2015 në mënyrë sistematike opozita ka denoncuar fenomenin e drogës. Opozita ngrit shqetësimin e transportimit të drogës me avionë, por mazhoranca jo vetëm nuk i mori seriozisht këto denoncime e kritika, por edhe i mori me të qeshur. Por tashmë droga e transportuar janë vendit, ka krijuar shqetësime edhe tek vendet fqinje”.

Lidhur me mundësinë e një ndërhyrje ndërkombëtare për normalizimin e situatës në vend, Mustafaj tha se është e vështirë të ndërhyhet në këtë situatë, apo të mbahen qëndrime të caktuara. Sipas tij, duke qenë se kërkesa e opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme është demokratike dhe e rëndësishme, ndërmjetësit e kanë të vështirë të ndërhyjnë.

“Në mënyrën sesi është shpalosur tabloja e sotme është e mundur të parashikosh se kush kas kredibilitetin e duhur për të ndërhyrë. Në institucionet ndërkombëtare ka gjithnjë një lloj polarizimi. Nga Parlamenti Evropian ka mbështetje që vijnë për Bashën dhe protestën, nga Këshilli Europian ka thirrje për t’u kthyer në Kuvend e nga ana tjetër nuk ka kritika prej tyre për protestën. Por besoj se edhe “shkesi” e ka të vështirë të veprojë duke marrë parasysh kërkesën që ka opozita”, tha ai.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb