Ministrja për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi gjatë punimeve të Procesit të Samitit të Berlinit në panelin e ministrave diskutoi mbi një temë të rëndësishme sikurse është “Procesi i Berlinit: Pjesëmarrja e të Rinjve dhe Ndikimi i Angazhimit të tyre” në kuadër të Forumit Rinor të Ballkanit Perëndimor 6. Në këtë panel diskutimet u përqendruan në rëndësinë e angazhimit të të rinjve në proceset vendimmarrëse dhe fuqizimin e tyre në zhvillimin e rajonit, në kuadër të Procesit të Berlinit dhe aspiratave për integrim evropian.
Ministrja Muzhaqi i informoi homologët e saj mbi masat që janë marrë në Shqipëri në kuadër të zbatimit të Strategjisë Rinore. Në këtë drejtim, Shqipëria konsiderohet shembull suksesi pasi ka ngritur Këshillat Vendor Rinor si dhe ka tërësisht funksional Këshillin Kombëtar. Për Ministren Muzhaqi “është shumë e rëndësishme që të rinjtë të përfshihen vërtetë në vendimarrje dhe në politika që prekin dhe ndikojnë drejpërsëdrejti në jetën e tyre. Nëse politikat tona nuk bëhen në bashkëpunim me ata dhe në përputhje me nevojat e tyre reale atëherë s’kemi bërë asgjë për të mbështetutur dhe fuqizuar të rinjtë”.
Në të njëjtën kohë, Ministrja Muzhaqi theksoi nevojën për bashkëpunim të shtuar mes të rinjve në rajon dhe forcim të nismave të ndërmarra në kuadër të mobilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.
Gjatë diskutimit homologët e rajonit, përfshirë Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës Hajrulla Çeku, Ministre e Çështjeve Civile të Bosnjë dhe Hercegovinës Dubravka Bošnjak, zëvëndësministren Serbe për Rininë Ivana Antonijevic si dhe përfaqësues të organizatave Rinore dhe RYCO (Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor).
Në kuadër të këtij forumi, u zhvillua gjithashtu një takim ndërmjet ministrave të WB6 dhe Manuel Sarrazin, Përfaqësuesi Special i Qeverisë Gjermane për Ballkanin Perëndimor. Diskutimi u përqendrua tek çështjet e lidhura me RYCO dhe rolin e saj në fuqizimin e të rinjve të rajonit. Ministrat shprehën angazhimin e tyre për të rritur ndikimin e RYCO-s dhe për të thelluar bashkëpunimin rajonal përmes projekteve që mbështesin të rinjtë.
Ndërkaq, gjatë qëndrimit në Berlin, ministrja Muzhaqi pati disa takime bilaterale me homologë nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Mali i Zi: Në këto takime u diskutua për fuqizimin e të rinjve nëpërmjet projekteve ndër-rajonale dhe shkëmbimeve rinore, me fokus në zhvillimin e aftësive dhe rritjen e mundësive për pjesëmarrjen aktive të të rinjve në proceset shoqërore dhe ekonomike në rajon.
(BalkanWeb)