Një islamist 18-vjeçar nga Austria raportohet se është personi që u qëllua dhe u vra nga policia e Mynihut pasi qëlloi më parë drejt tyre me një armë me tytë të gjatë jashtë Qendrës së Dokumentacionit për Nazizmin në qendër të qytetit. Ngjarja, sipas policisë, ka ndodhur në orën 09:00 (me orën lokale).

Sipas faqes gjermane Bild, autori 18-vjeçar, i quajtur Emrah I., ishte me banim të përhershëm në Austri dhe të gjitha mediat lokale raportojnë se ai ka lindur në Salzburg në vitin 2006. Gjithashtu përmendet se burri është boshnjak me origjinë.

Revista Der Spiegel dhe gazeta austriake Der Standard raportojnë gjithashtu se 18-vjeçari ishte i njohur për autoritetet austriake si islamist dhe në vitin 2023, kundër tij ishte ngritur një ankesë për përfshirje në një organizatë terroriste dhe përhapje të propagandës për ‘Shteti Islamik’. Autoritetet austriake i kishin gjetur një material të tillë në celularin e tij, por në fund nuk vazhduan me ndjekjen penale.

Një dëshmitar okular i cili foli për Bild deklaroi se policia i është kundërpërgjigjur autorit. “U deshën disa minuta që oficerët e parë ta ndiqnin atë. Më pas qëlluan të paktën 30-40 herë dhe më pas i dëgjova të bërtisnin: Është i shtrirë në tokë. Ai nuk lëviz më”, tha dëshmitari. Menjëherë pas kësaj, ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Herrmann, njoftoi se autori ka vdekur nga plagët e marra.

Pranë Qendrës së Dokumentacionit për Nazizmin ndodhet Konsullata e Përgjithshme e Izraelit, e cila, megjithatë, ishte pothuajse e zbrazur sot për shkak të përvjetorit të sulmit terrorist palestinez kundër atletëve izraelitë më 5 shtator 1972, gjatë Lojërave Olimpike të Mynihut.

Sipas policisë, 18-vjeçari ka vepruar i vetëm dhe ka përdorur një pushkë të vjetër Mauser, e cila është përdorur gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe ka mbajtur edhe një bajonetë.

Benedikt Franke, CEO i Konferencës së Sigurisë së Mynihut (Siko), ishte dëshmitar i sulmit të sotëm. Zyra e tij është pranë konsullatës izraelite, sipas Bild. “Zyra jonë aktualisht është e rrethuar nga policia. Punonjësit tanë janë në izolim. Pikërisht në orën 9:10 (me orën lokale) u dëgjua një zhurmë e fortë. U dëgjuan të paktën një duzinë të shtëna. Nuk dimë më shumë për momentin.’

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb