TIRANË

Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ka deklaruar se Bordi i Administrimit të UT, është i gjithi nën kontrollin e qeverisë. Ai kërkoi rrëzimin e kapitullit 12 të ligjit për Arsimin e Lartë, i cili lejon privatizimin e universitetit publik, ose kthimin e universiteteve private, në jo fitimprurëse.

“Deri në miratimin e ligjit, ne kemi paraqitur të argumentuar të gjitha, ndryshimet që duheshin bërë në formatin ligjor. Një nga këto ka qenë edhe elminimi dhe rrëzimi i kapitullit 12, për institucionet publike të pavarura. Me futjen e ligjit në fuqi ne jemi të detyruar ta zbatojmë. Gjatë protestave, unë jam shprehur disa herë, që ka nevojë për një rishikim tërësor. Tani po e them hapur këtu, që ky kapitull duhet të hiqet, sepse është krijimi i institucionit privat brenda publikut. Në institucionet publike, transformimi nga institucion publik, në institucion publik të pavarur, bëhet me vendim të bordit të administrimit. Bordi sot është 100% në krahun e qeverisë. Nëpërmjet bordit dhe administratorit, mohohet fare autonomia e Universitetit, duke bllokuar institucionin e rektorit. Prerja e kësaj koke, nuk i nënshtron studentët. Prerja e kokës së Mynyr Konit, nuk i ul kokën studentëve”.

Koni gjithashtu kërkoi që Universitetit të Tiranës, t’i bëhet audit për 10 vitet e fundit.

“Universitetit të Tiranës, duhet një orë e më parë t’i bëhet audit, të paktën 10 vjecarin e fundit. Arsyeja që e kërkoj, është për të normalizuar funksionalitetin e Universitetit të Tiranës. Në rast se nuk do të bëhet ky audit, problematikat e UT-së do të vijojnë, pa Mynyrin apo me Mynyrin. Ka grupe me interesa të caktuara të cilët duan të legjitimojnë veprimet që janë bërë. Unë kam bërë kallzime në prokurori, për nivele dekanësh kancelarësh dhe janë persona nën hetim. Periudha e pezullimit tim, është periudhë që do të përdoret për të eleminuar këto problematika por e kanë të kotë”.

Rektori Koni, u shpreh se ka besim që Presidenti i Republikës nuk do ta ç’dekretojë nga funksioni që mban.

“Duke besuar në integritetin e Presidentit të Republikës, do i kërkoja ta vlerësojë këtë si një rast shumë emergjent dhe të rëndësishëm, për institucionin e rektorit të Universitetit të Tiranës. Besoj në integritetin e Presidentit. Në lidhje me urdhin e Ministres, ka dy probleme ligjore. Jam duke u konsultuar me avokatët për të mbajtur qëndrimin e duhur”.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb